Janar 1946, arrestimet që nisën zhdukjen e opozitarëve

0
604

Musine Kokalari, Gjergj Kokoshi, Suat Asllani…bashkë me disa intelektualë e aktivistë të tjerë u arrestuan gjatë janarit 1946 për të marrë më pas dënimet në korrik të atij viti. Ishin një grup prej 37 të akuzuarish, që u dënuan më 2 korrik 1946, 9 prej të cilëve me pushkatim. Edhe ata që mbijetuan, u zhdukën përgjithmonë si opozitarë

Në janar 1945, Musine Kokalari botoi librin e saj të tretë “Sa u tund jeta”. Ky ishte libri i fundit që do të shihte të botuar. Janarin e një viti më vonë karriera e saj si politikane dhe shkrimtare, mori fund. Musine Kokalari u arrestua më 23 janar 1946. Të njëjtën fat patën edhe disa intelektualë e aktivistë të tjerë opozitarë. U arrestuan ish-ministri i arsimit, Gjergj Kokoshi; juristi i diplomuar në Napoli, Suat Asllani; ish-nxënësit e Harry Fultz-it, Ali Kavaja dhe Shaban Balla; tregtari Mahmut Mëniku etj.. Arrestimet kryesore u bënë më 10, 17-19, 23-27 janar 1946. Të tjera do të bëheshin në muajt në vijim dhe më 2 korrik 1946, një grup prej 37 të akuzuarish do të dëgjonin vendimet e gjykatës që çoi 9 vetë në pushkatim dhe pjesës dërrmuese i dha dënime të gjata me burg.

U akuzuan si bashkëpunëtorë të pushtuesit gjatë luftës si edhe se ishin përpjekur të rrëzonin regjimin, të lidhur edhe me “kriminelë lufte”, se do të bënin “akte sabotazhi”, se ishin “agjentë anglo-amerikanë”, se ishin në bashkëpunim me “reaksionin e brendshëm” etj.

E vërteta ishte se ata ishin kundërshtarë të hapur të Partisë Komuniste. Më 17 nëntor 1945, tre grupimet opozitare: Grupi i Rezistencës së Sami Çeribashit, Grupi Monarkist i Qenan Dibrës dhe Partia Socialdemokrate e Musine Kokalarit u bashkuan në një grup të vetëm që u quajt “Bashkimi demokratik”, me qëllim formimin e një opozite ndaj Frontit Demokratik që po shkonte i vetëm drejt zgjedhjeve të dhjetorit 1945 dhe më pas, drejt pushtetit absolut. U ra dakord që kryesia e opozitës t’i lihej Gjergj Kokoshit, të diplomuarit për Filozofi dhe Letërsi në Paris, që ishte ngarkuar si ministër Arsimi më 20 qershor 1944, duke u prezantuar nga Enver Hoxha si “njeri që nuk ka bërë kompromise” dhe kishte dhënë dorëheqjen, pas 80 ditësh, duke mos u pajtuar me rrymën ekstremiste brenda së majtës që mori realisht pushtetin. Enver Hoxha kishte qenë i saktë në vlerësimin për Kokoshin.

Ky grup opozitar ndërton një program dhe një lutje, të cilat, me naivitet, Gjergj Kokoshi propozoi t’i dërgohen edhe qeverisë së përkohshme, pavarësisht paraljamërimeve se kjo mund të sillte arrestimin e tyre. Ata i dërgojnë edhe një notë misioneve ndërkombëtare ku kërkonin shtyrjen e zgjedhjeve dhe hartojnë një memorandum ku përshkruajnë me gjuhën e së vërtetës çfarë po ndodhte në vend. Iu tha se ishin shumë vonë dhe realisht, kërkesa e tyre nuk u mor parasysh. Zgjedhjet u zhvilluan më 2 dhjetor me një pjesëmarrës të vetëm: Frontin Demokratik. Menjëherë, në janar, filluan arrestimet e atyre që kishin menduar dhe guxuar t’i dilnin kundër këtij grupimi.

Dënimet e këtij procesi të nisur me arrestimet e janarit 1946, artikuluar më 2 korrik të atij viti nga Gjykata e Lartë Ushtarake, ishin:

Me vdekje: Sami Çeribashi, Qenan Dibra, Telat Drini, Hivzi Golja, Mahmut Mëniku, Xhahit Koka, Mehmet Beshiri, Shaban Balla, Ali Kavaja.

Me burg të përjetshëm: Profi Çoka, Anton Dukagjini, Lluka Bibi, Abdulla Musa, Enver Hasa.

Me 30 vjet burg: Gjergj Kokoshi, Kolë Rodhe, Mefail Skikuqi, Reiz Hasho, Qemal Biçakçiu.

Me 25 vjet burg: Nesti Orollogaj, Myrteza Beli.

Me 20 vjet burg: Musine Kokalari, Haki Gjinishi, Stefan Bumçi, Hasan Kalaja, Vahit Vervova.

Me 15 vjet burg: Suat Asllani.

Me 10 vjet burg: Musa Dizdari, Haki Karahoxha, Niko Beça, Llazar Papastoli.

Me 5 vjet burg: Semiras Vërlaci.

Të gjithë personat, siç shkruan studiuesi Kastriot Dervishi, dënoheshin me konfiskimin e pasurisë, ndërsa ata që do të jetonin edhe me punë të detyruar dhe heqjen e së drejtës zgjedhore. Nesim Starova u dënua me 2 vjet burgim me kusht (u lirua menjëherë), Pjerin Shala  me 1 vit burgim me kusht (u lirua menjëherë). Taq Ruço dhe Xhevat Miluka u deklaruan të pafajshëm. Brenda të njëjtës ditë, Presidiumi i Kuvendit Popullor la në fuqi vendimet me vdekje.

Ata që mbijetuan vazhduan të përjetonin vuajtje e përndjekje. Gjergj Kokoshi u shua në burg, Musine Kokalari në internim... Të gjithë u vranë si opozitarë...

S'KA KOMENTE