Kampi nr. 5 në vitet 1950-1953 dhe kampi nr. 3 në vitet 1953-1955

Sukthi ishte një vend përqendrimi që ka filluar të grumbullojë grekët qysh në vitin 1948. Në një raport të Degës së Punëve të Brendshme Vlorë, dalin të dhëna për shkëmbimin e grekëve “demokratë” midis kampit të Sukthit dhe fermës së Llakatundit. Organizimi më i plotë njihet më vonë. Por për të sistemuar më mirë grekët e ardhur në Shqipëri, u pa nevoja e ngritjes së një kampi të posaçëm. Kështu u krijua në Sukth në fermën “8 Nëntori” me urdhër të ministrit, më 15.3.1950, kampi me numrin 5. Të dhënat e kohës tregojnë se kampi kishte filluar më 22 janar 1950, me pjesëmarrjen e rreth 400 “monarko-fashistëve” (250 prej të cilëve ishin gra, fëmijë dhe pleq). Kampi u ngrit atje për emigrantët grekë të ndodhur në Shqipëri. Këta emigrantë kishin ardhur si fluks i luftës civile, që kishte nisur në vendin fqinj. Kësisoj në Shqipërinë e atyre viteve gjeje emigrantë që ishin në krah të ushtrisë demokratike greke (komuniste) dhe të tjerë që cilësoheshin “monarko-fashistë”. Puna që këta kanë filluar ishte “shpyllëzim, pjesërisht në prashitje pambuku, vreshtari, korrje, vjelje domatesh etj. Rendimenti vlerësohej i ulët. Detyra kryesore e kampit ishte ajo e shpyllëzimit dhe e hapjes së tokave të reja. Sipas llogarisë së regjimit, në janar-nëntor 1950 ishin realizuar 80.000 ditë pune. Sa ishte në Sukth, kampi përbëhej vetëm nga grekët. Komandanti i parë ishte toger Dervish Sanxhaku. I gjithë efektivi përbëhej nga 30 policë dhe oficerë.

 

Në Plug, qershor 1951 – nëntor 1953

Në verën e vitit 1951 kampi zhvendoset në fshatin Plug të Lushnjës. Synimi kryesor ishte që këtu ata të përdoreshin për punë të detyruar në bujqësi. Plugu ishte përzgjedhur si një vend i përshtatshëm përqendrimi, ku kontrolli bëhej edhe më lehtë. Këtu filluan të vijnë edhe të dënuar të tjerë nga burgjet, duke e bërë pak nga pak kampin të ishte me shumicë nga burgjet e Shqipërisë, ndërsa grekët ngelën një shtojcë e vogël e veçuar.

Më 31.5.1952, kryetari i Degës së Kampeve dhe Burgjeve, Sabri Sevrani informonte se nuk ishte zbatuar kontratat e datës 3.7.1951 ndërmjet Drejtorisë së Fermës Lushnjë dhe Komandës së Kampit nr. 5, e miratuar kjo nga Drejtoria e Përgjithshme e Farërave dhe Drejtoria e Policisë Popullore në MPB.

Nga evidencat e kampit dilte se në kamp ishin 430 “monarko-fashistë”, prej të cilëve 150 “demokratë”. Në këtë mënyrë në shumicë ishin “monarko-fashistët” grekë, duke i dhënë kësisoj kampit vlerën e një vendi ku grumbulloheshin armiqtë e socializmit.

Paralelisht me Plugun, në fermën “Ylli i Kuq” Kamëz, ishin 300 persona grekë, shumica gra, të cilët nuk i kishin vënë në punë, pasi nuk mundeshin të punonin. Kërkohej shfrytëzimi i grekëve në maksimum, në mënyrë që jo vetëm të siguronin ushqimin që konsumonin, por edhe të prodhonin më shumë.

Gjatë qëndrimit në Plug kishin vdekur pa asnjë nishan, 2 “monarko-fashistë” grekë. Këta qëndronin në sektorin e parë të fermës “29 Nëntori”. Në një njoftim të DPB Lushnjë, të datës 20.1.1956, thuhej se toka ishte punuar e nuk dinin asgjë me siguri për eshtrat e tyre apo për vendndodhjen e mundshme.

Emigrantët grekë kaluan më vonë në vende të tjera të Shqipërisë. Duke u bërë bashkimi i të burgosurve shqiptarë (për krime politike dhe ordinere) me ata grekë, u krijua një grup punëtorësh të dënuar prej 500 vetash. Këtu të burgosurit bënin punë të tilla si mbledhje bereqeti, pambuku, hapje kanalesh kulluese etj. Në fushën e Plugut, kampi qëndroi në nëntor 1953. Komisar në këtë kohë ishte toger Besnik Çomo. Punëtori operativ i kampit i quajturi Mantho, sipas raportit të datës 7.6.1952, torturonte, plaçkiste dhe vidhte “monarko-fashistët”, ndërsa në një rast tjetër kishte tentuar të përdhunonte një grua.

Në Levan, Selishtë, Kafaraj, nëntor 1953 – tetor 1954

Në fillim vitin 1953 në kamp punonin 420 të burgosur. Në nëntor 1953 kampi zhvendoset për të punuar në Levan të Fierit. Të dhënat zyrtare nuk shprehen qartë mbi përbërjen e kampit. Objekti kryesor i punës së kampit ishte hapja e kanalit ujitës Levan-Fier. Kapaciteti i kampit shkoi në 900 të burgosur. Për t’i ruajtur këta shërbenin 95 oficerë e nënoficerë. Këtu u ndërrua komandanti i kampit. Erdhi Abaz Krushova. Përveç kanalit të njohur Levan-Fier, u hap kanali ujitës i fshatit Gjonçaj (për devijimin e Vjosës). Në Levan numri i kampit ndryshoi nga 5 në 3. Mori numrin 3, pasi ky numër iu hoq kampit të internimit të fabrikës së tullave Tiranë. Brenda një viti kampi kishte lëvizur 6 herë. Në fund të vitit 1953 kur kampi ishte në Selishtë të Fierit, punonin 643 të burgosur dhe 357 të internuar. Llogariteshin 242 të sëmurë, ndërsa ishin realizuar 220.000 ditë pune. Kampi ndihmonte kampin nr. 2 po për të njëjtin qëllim. Sipas të dhënave të vetë regjimit, në Kafaraj u sëmurën 700 të burgosur që punuan atje, të cilët kohë pas kohe u zhvendosën në burg.

 

Në Zadrimë, tetor 1954 – nëntor 1958

Në tetor 1954 kampi u zhvendos në Zadrimë të Shkodrës. Gjatë qëndrimit këtu, komandantë të kampit kanë qenë përkatësisht nënkolonelët Medi Bilbil Hoxhaj e Azbi Lamçe dhe major Xhipe Mersini. Komisarë ishin përkatësisht toger Namik Çepani dhe kapiten Isa Ibrahimi. Vepra kryesore e kampit këtu ishin punimet në lumin e Gjadrit. Ishte një punë rraskapitëse e krahasueshme me atë të skllevërve, kur ndërtoheshin piramidat e Egjiptit. Synimi kryesor i punimeve ishte kanalizimi i lumit të Gjadrit dhe bashkimi i tij me lumin e Drinit. Nga puna e madhe që kryen të burgosurit u evituan përmbytjet e fushës së Zadrimës duke sjellë rritje të prodhimit bujqësor të zonës. Pasi këtu mbaruan punimet, u hap një kanal i gjatë 1.500 metra në fshatin Hajmel të Zadrimës. Kjo ishte një punë tjetër kolosale që kryhej në këtë zonë.

Në këtë kamp kanë qëndruar edhe një pjesë e emigrantëve grekë të vendosur ato kohë në Tiranë.

Në bazë të urdhrit nr. 1620, datë 21.12.1955, reparti mori numrin 305. Urdhri hyri në fuqi më 1 janar 1956. Në vitin 1956 me Vendim të Këshillit të Ministrave, u nxorën në lirim pjesa më e madhe e oficerëve dhe nënoficerëve, duke e reduktuar numrin e tyre në 20 veta. Mbetën vetëm rojet e brendshme. Këtë vit u fut sistemi i ruajtjes së jashtme me ushtarë të shërbimit të detyrueshëm ushtarak. Kontingjenti i ushtarëve të rrethimit të jashtëm arrinte deri në 65-70 veta.

Në vitin 1956 reparti kishte më shumë se 800 të burgosur. Në vitin 1957 në kamp ishin 92 të dënuar politikë dhe 677 ordinerë.

Sipas të dhënave të vitit 1959 në kamp punonin 504 të dënuar.

 

Në Sarandë, vitet 1958-1959

Nga nëntori 1958 deri në qershor 1959 reparti ndërtoi kanale kulluese e ujitëse në Sarandë.

 

Në Thumanë, viti 1959

Reparti u zhvendos më në jug, në fushën e Thumanës. Atje prisnin të tjera punë bonifikuese.

 

Në Tiranë, vitet 1959-1966

Në vitin 1959 reparti u zhvendos në Tiranë. Në kryeqytetin e vendit ai u vendos në lagjen e rrugës “Niko Avrami”. Më 14.12.1959 u nënshkrua midis kryetarit të Degës së Ndërtimit Kozma Vasilit në MPB dhe kryetarit të Degës së Kampeve dhe Burgjeve Qamil Mane si marrëveshje brenda ministrisë. Sipas saj, reparti do të aktivizonte gjatë gjithë vitit 1960 rreth 450 të dënuar për ndërtimin e apartamenteve në Tiranë, shkollës së edukimit, si dhe prodhimin e tullave në Laknas të Tiranës. Por në vitin 1961 shifra shkoi në 540 të dënuar që punonin.

Në fillim të nëntorit 1962 në repart punonin 517 të dënuar ordinerë dhe asnjë politik.

Një e dhënë e vitit 1963 bën fjalë për 395 të dënuar ordinerë.

Deri në vitin 1964 të burgosurit kanë punuar për ndërtimin e banesave duke i dhënë pushtetit 1.678 apartamente banimi. Në shtator 1964 u transferua komandanti i repartit dhe në vend të tij erdhi kolonel Çelo Arrëza. Një pjesë jo e vogël të burgosurish ishin të dënuar politikë që kishin mbaruar universitetet e huaja, kryesisht në Perëndim. Mbikëqyrjen e tyre në punë e bënte një personel i varfër intelektualisht. Sipas të dhënave të vetë repartit, në vitet 1950-1964, 75 oficerë dhe nënoficerë karriere mbaruan arsimin fillor, 42 prej tyre arsimin 7-vjeçar dhe 10 arsimin e mesëm. Në raportin e kampit kjo cilësohej fitore e madhe. Në vitin 1957 kishte 90 të dënuar politikë dhe 700 ordinerë. Një vit më vonë kishte vetëm të dënuar politikë.

Të dhënat e vitit 1963 tregojnë se reparti është në Laknas të Tiranës.

Më 24.11.1964, Kryeministria kërkonte ndërtimin e 150 apartamenteve çdo vit nga ky repart. Mirëpo kampi kishte mbetur vetëm me 200 veta, pasi pjesa tjetër kishte shkuar  në Fushë-Krujë. Drejtuesit e MPB-së ankoheshin se kishin vetëm 30 specialistë. Kur reparti ndodhej në Tiranë, përllogaritej që numri i të burgosurve ishte 335 të dënuar ordinerë.

 

Në Rrethin e Sarandës 1966-1991, repartet 305 dhe 305/1

Në vitet 1966-1991, reparti ka qëndruar në fshatin Borsh. Formulimi për dy repartet 305 dhe 305/1, për të mos u ngatërruar është ky:

- Reparti 305 Borsh, vitet 1966-1983

- Reparti 305/1 Përparim, vitet 1978-1983

- Reparti 305 Përparim, vitet 1983-1991

 

Reparti 305 Borsh, vitet 1966-1983

Në vitin 1966 në këtë repart punonin 340 të dënuar. Në vitin 1966 reparti vendoset në Borsh për të punuar për hapjen e tarracave dhe mbjelljen e agrumeve në Kserokom të Piqerasit e bregun e atyshëm. Meqenëse reparti është zhvendosur në zonë bregdetare, është bërë organika me të dënuar ordinerë. Në vitin 1973 në repart punonin 600 të dënuar ordinerë. Në vitin 1968 ishte planifikuar që në rast gjendjeje të jashtëzakonshme, të burgosurit e këtij reparti të zhvendoseshin në Vodicë të Beratit, por një plan tjetër ishte edhe në Gjirokastër. Në vitin 1969 këtu punonin 391 të dënuar ordinerë. Kjo shifër ruhet përgjithësisht për këto vite. Në vitin 1975 në repart punonin rreth 600 persona. Në vitin 1976 në repart punonin 773 të dënuar ordinerë. Personeli i burgut për ruajtjen e tyre përbëhej nga 85 persona. Në vitin 1977 në repart punonin 823 të burgosur.

Në vitin 1978 kemi një rritje të numrit të të burgosurve me rreth 1.000 të dënuar, prej të cilëve 400 të dënuar për vjedhje të pasurisë socialiste, 192 vjedhje të pasurisë qytetarit dhe 116 për vrasje.

Një informacion i detajuar bënte fjalë se reparti 305 Borsh kishte një kapacitet prej 800 të dënuarish. Në fillim të vitit 1978 ai kishte 781 të dënuar ordinerë dhe 1 politik. Në fund të vitit kishte 578 të dënuar ordinerë. Në vitin 1980 midis janarit dhe dhjetorit, reparti kishte një mesatare të dënuarish prej 554-738 të dënuarish. Në vitin 1981 kishte një mesatare prej 678-518 të dënuarish.

Gjatë vitit 1980 nuk shihej e arsyeshme mbajtja e dy reparteve. Mbi bazën e kërkesës së Ministrisë së Bujqësisë u arrit marrëveshja me MPB-në dhe Komitetin Ekzekutiv të Rrethit të Sarandës, më 21.7.1980 për bashkimin e dy reparteve  në Përparim. Për ndërtimin e pjesës plotësuese ishin angazhuar 200 të dënuar. reparti 305 sipas letrave duhej të ishte gati për t’u bashkuar në janar 1982. Plani ishte të ndërtoheshin 4 pallate për banimin e të burgosurve. Sipas raportit të datës  26.4.1982 akoma nuk kishin përfunduar pallatet e punimet po zvarriteshin. Plani ishte që në Përparim të vendoseshin një numër të burgosurish prej 800-1.000 personash. Për ndërtimin e pallateve ishin aktivizuar një numër prej 450-660 të burgosurish.

Në mars 1982 është bërë mbyllja e repartit 305 Borsh. Kanë ngelur kësisoj reparti në Përparim dhe në Sarandë. Reparti 305 në Borsh në janar-shkurt 1982 ka pasur 400-411 të dënuar dhe ai 305/1 ka pasur deri 735 të dënuar.

Me urdhrin nr. 4, datë 6.1.1983, reparti 305 Borsh u shkri. Ai u bashkua me repartin 305/1 Përparim. Përfundimisht, prej vitit 1983 kemi vetëm repartin 305 Përparim.

 

Reparti 305/1 Përparim, vitet 1978-1983

Reparti 305/1 Përparim kishte kapacitet prej 515 personash (në vitin 1981 bëhet 800). Në fillim të vitit 1978 kishte pasur 506 e në fund të vitit 550 të dënuar ordinerë. Mes tyre ishin vetëm 2 të dënuar politikë.

Në vitin 1980, midis janarit dhe dhjetorit, reparti kishte një mesatare të dënuarish prej 472-491 të dënuarish. Në vitin 305/1, kishte një kapacitet të dënuarish prej 482-624 të burgosurish. Në prill 1982 me kërkesë të Komitetit Ekzekutiv të KP të Rrethit Sarandë, 200 të dënuar të kampit u vendosën në lagjen “Limion” të Sarandës për ndërtim apartamentesh banimi. Kryetari i Komitetit Ekzekutiv të KP të Rrethit Sarandë kërkonte më 30.4.1982 nga MPB, që të mundësonte vënien në dispozicion të 1.500 të dënuarish për ndërtimin e 1.500 apartamenteve. Ndër të tjera ai shkruante: “Mungesa e fuqisë punëtore dhe terreni shkëmbor na ka detyruar që qysh prej vitit 1978 të mbajmë ngritur një bërthamë prej 30-40 punëtorësh të repartit 305 në qytetin e Sarandës, kontributi i të cilit, sidomos në gërmime dhe përfundimin e banesave karabina ka qenë i madh”.

Reparti 305 Përparim, vitet 1983-1991

Pavarësisht nga urdhri që doli në vitin 1983, në fund të vitit 1982, të dy repartet janë bashkuar në një komandë në Përparim të Sarandës. Në fund të vitit 1982 reparti i Përparimit me një kapacitet prej 1.030 të burgosurish, kishte 750 të dënuar. Në Sarandë qëndronin 103 të dënuar.

Në vitin 1984 reparti 305 punonte për zonën e pemëtarisë në Lukovë, ndërsa një repart autonom për ndërtimin e apartamenteve në Sarandë. Në vitin 1985 në repartin 305 punonin 1 i dënuar politik dhe 899 të dënuar ordinerë.

Në janar 1987, në repart ishin 566 të burgosur, prej të cilëve punonin 369 (kapaciteti

ishte 1.000 shtretër). Po në këtë kohë, në repartin 305/1 ishin 110 të dënuar, prej të cilëve punonin 85 të burgosur (kapaciteti ishte 200 shtretër). Një e dhënë tjetër e vitit 1987 bën fjalë se këtu ishin 235 të dënuar politikë dhe 928 ordinerë. Në vitin 1988 në repart punonin 227 të dënuar politikë dhe 976 të dënuar ordinerë. Pra këtë vit filluan të vijnë të dënuarit politikë. Më 15.5.1990 komanda përllogariste 87 të dënuar politikë (mes të cilëve 3 emigrantë). Gjergj Ndreca, Ilir Dibra, Muhamet Pojani, Hysen Sheshori, Sotir Qiriazati, Qani Sadiku, Bujar Sala, Vladimir Xhelo, Vladimir Balluku, ishin disa prej të dënuarve në repartin nr. 305. Besohet se në këtë kohë kanë qenë trefish më shumë të dënuar ordinerë sesa ata politikë. Në këtë kamp vdiq më 23.4.1987 Sami Dangëllia, i burgosuri rekordmen me 38 vjet burg e 5 vjet internim, njeriu që nuk pa asnjë ditë të bardhë në regjimin komunist. Më 13.1.1989 në këtë kamp, vdiq i paralizuar në moshën 67-vjeçare prifti katolik Pjetër Palok Gjeloshi, i dënuar tri herë. Me vdekjen e tij, thyhej çdo parashikim për egërsinë e regjimit komunist edhe në fundin e jetës së tij.

 

Zhvendosjet e repartit 305 në vite:

1950-1951 Sukth, hapje tokash bujqësore

1951-1953 Plug Lushnjë, punë në bujqësi

1953-1954 Levan, Selishtë, Kafaraj (Fier), tharje kënetash, kanalizime

1954-1958 Zadrimë, Shkodër, tharje kënete

1958-1959 Sarandë, kanale kulluese

1959 Thumanë, tharje kënete

1959-1966 Tiranë, ndërtim banesash

1966-1982 Kserokom, Piqeras, Borsh, punime në kodra dhe mbjellje agrumesh

1982-1991 Përparim (Shën-Vasi)

Ju lutem, plotesoni fushat e kerkuara.
Mbyll formen

Ju lutem zgjidhni imazhin qe do te ngarkoni.