Zef Bici | |
---|---|
Informacione Personale | |
Emër/Mbiemër: | Zef Bici |
Atësia: | Ded |
Vendlindja: | Breg të Matës |
Vendbanimi: | Lezhë |
Datëlindja: | 19/5/1919 |
Gjyqi | |
Data e Arrestimit: | 11/1964 |
Akuza: | °Kishte blerë kontrabandë letër nga një hajdut i ndërrmarrjes shtetërore «Mihal Duri , spiunazh». |
Ekzekutimi | |
Data Ekzekutimit: | 10/5/1968 |
Klerik katolik, vikar kapitullar i Arkidioqezës së Durrësit. Lindi në Breg të Matës, më 19 maj të vitit 1919. Shkollën fillore e kreu në fshatin Gurëz (1927-1932). Dy vjet më vonë, më 1934, filloi Seminarin e Papnor të Shkodrës, ku vazhdoi dhe teologjinë. Më 2 shkurt 1946 u shugurua meshtar në Katedralen e Shkodrës, prej Imzot Gaspër Thaçit, dhe të nesërmen tha, po në Katedrale, meshën e tij të parë. Nga 6 nëntori i vitit 1946 e deri në mars 1952, shërbeu si ndihmësfamullitar në Tiranë, së bashku me Dom Mark Dushin. Gjatë kësaj kohe thuajse drejtoi mbledhjet dhe përpjekjet për pranimin e Statutit të ri të Kishës Katolike, sepse sipas marrëveshjes verbale Tuk Jakova-At Marin Sirdani, ai ishte ngarkuar të përfaqësonte mendimin e qeverisë. Në mars 1952 u emërua shef administrate, shef personeli e shef kulture pranë Kryesisë së Kishës Katolike në Shkodër. Më 1955 u shkarkua nga detyrat pranë Kryesisë së Kishës dhe, që nga 1 janari 1956, u la në dispozicion. Shërbeu për pak kohë si ndihmës famullitar në Shirokë. U vu në dispozicion të ordinarit të Arkidioqezës së Shkodrës, Dom Luigj Gashit, i cili e dërgoi në Zhejë. Me propozim të ordinarit, më 28 prill 1957, u kthye sërish në Tiranë, në vend të Dom Mark Dushit. Më 12 shtator të po atij viti u zgjodh vikar kapitullar i Arkidioqezës së Durrësit. Qëndroi në famullinë e Tiranës deri në nëntor të vitit 1964, kur dhe u arrestua me akuzën se kishte blerë kontrabandë letër nga një hajdut i ndërrmarrjes shtetërore «Mihal Duri». Pas tetë muajsh hetuesie u nxor në gjyq, ku ai paraqiti një kasetë në të cilën kishte regjistrua të gjithë bisedën e kontratës së blerjes së letrës. Për këtë arsye, pas tri ditësh u lirua, jo me pafajësi, por me një vendim gjyqi që e dënonte aq ditë burg sa kishte bërë. Meqë ndërkohë vendi i tij në Tiranë ishte zënë nga Dom Ndoc Sahatçia, iu la vetëm 24 orë kohë që të bartej si famullitar në Mërqi të dioqezës së Lezhës, ku qëndroi deri në marsin e vitit 1967. U arrestua sërish më 4 korrik 1967, i akuzuar se kishte mbajtur lidhje «me spiunazhin italian dhe pikërisht me kryeagjentin Bartolini, funksionar i Ambasadës Italiane në Tiranë». Më 25 prill 1968, në gjyqin e zhvilluar në kishën e Motrave Stigmatine, tashmë të kthyer në klub rinie, u dënua me vdekje, me pushkatim, për «tradhëti të lartë ndaj atdheut» e si «agjent i Vatikanit». Dhe, megjithëse, vuante nga kanceri në gjendrën e qafës e për këtë arsye ishte operuar dy herë në spitalin e Tiranës, u ekzekutua me 10 maj të vitit 1968. Eshtrat e tij, bashkë me ato të Dom Mark Dushit, u gjetën 25 vjet më vonë, më 12 shtator të vitit 1993, në një fushë të Dobraçit, dhe u varrosën në Kishën e Zemrës së Krishtit në Tiranë. Është dekoruar «Martir i Demokracisë» bashkë me Dom Mark Dushin dhe Dom Shtjefën Kurtin, eshtrat e të cilit nuk janë gjetur ende.