U lind më 12 prill 1872 në Aranitas të Mallakastrës. Ndoqi Akademinë Ushtarake në Stamboll. Në korrik 1913, kur kishte gradën e majorit, ishte njëri nga 4 komandantët e deshtamenteve që u formuan nga oficerët holandezë gjatë ministrimit të Mehmet pashë Dërrallës. Së bashku me major Ismail Haki Tatzatin u caktua në krye të batalioneve të Korçës e Gjirokastrës. Më 1915 shërbeu si komandant i xhandarmërisë në Mirditë, më 1916-'18 komandant batalioni me forcat austro-hungareze. Më 1919-'20 komandant batalioni në Elbasan.

Më 1920-1922 ka qenë komandant i regjimentit të dytë me qendër në Tiranë. Më 1922-1923 qe kryetar i Gjykatës Ushtarake me gradën e kolonelit. Më 19 gusht zëvendësoi Tatzatin në postin e ministrit të Luftës në qeverinë Zogu.

Më 1 qershor 1924 emërohet komandant i operacionit antikryengritje për jugun, kandidoi pa sukses për deputet në emër të grupit Nacional-Demokrat në Berat. Pas suksesit të lëvizjes së qershorit emigroi në Itali, ndërsa u shpall në kërkim nga qeveria e Nolit. Më 12 dhjetor 1924, Gjykata Politike e dënoi me burgim të përjetshëm duke e akuzuar se u kishte lehtësuar shpërndarjen e armëve forcave të Zogut dhe bashkëpunim në vëllavrasje.

U rikthye në Shqipëri pas triumfit të Legalitetit më 24 dhjetor 1924. Vijoi në detyrën e kryetarit të Gjykatës Ushtarake deri më 30 mars 1927, kur doli në pension dhe u tërhoq në jetën private.

Më 1946 u dëbua nga kryeqyteti nga regjimi komunist me gjithë familjen dhe u internuan në Çermë të Lushnjës. Sëmuret dhe shtrohet në spitalin e Tiranës ku edhe ndërroi jetë më 26 prill 1961, u varros në Tiranë.

Burime:  "Bashkënxënësi i Ataturkut", Ilirjan Gjika, 28 qershor 2011, fieri.com

Ballafaqime politike në Shqipëri (1897-1942), Sejfi Vllamasi, 2012

Kryeministrat dhe ministrat e shtetit shqiptar në 100 vjet, Kastriot Dervishi, 55, 2012. 

 

Ju lutem, plotesoni fushat e kerkuara.
Mbyll formen

Ju lutem zgjidhni imazhin qe do te ngarkoni.