Në tetor 1946, bashkëshortin e saj, Llesh Miri, e dënuan me pushkatim. Asaj dhe së vjehrrës iu sekuestruan gjithë pasurinë dhe i lanë pa triska fronti duke i dënuar me uri. Megjithatë, Maria vazhdoi të rezistonte dhe të mos e braktiste vjehrrën, që ia kishte lënë amanet bashkëshorti. Si dënim, duke qenë që dhe nga familja e saj, quhej "armike", ajo u internua në Tepelenë për tre vjet.
Pas daljes nga kampi, vazhdoi të jetojë me të vjehrrën. Pas rrëzimit të komunizmit, arriti të gjejë eshtrat e bashkëshortit, të cilat i solli në fshatin e tij duke i bërë nderimin që i takonte.
Sipas hulumtimeve të Ndue Hotit, "Maria kishte mbaruar shkollën 5- vjeçare të vajzave në Shkodër. Dasma u bë më 1940 dhe Maria ishte e dyta grua që vinte me velin e bardhë në vend të xhubletës malësore, sepse ishte me origjinë nga Shkreli i Malësisë së Madhe. Maria, një grua e emancipuar, qëndroi vejushë gjithë jetën, besnike e kurorës së shenjtë katolike. Maria rriti dhe edukoi njëkohësisht tri palë fëmijë, që kishin mbetur jetime apo me prindër të burgosur".
Fotoja nga ing.Ndue Hoti.