Maks Velo | |
---|---|
Informacione Personale | |
Emër/Mbiemër: | Maks Velo |
Atësia: | Sotir |
Vendlindja: | Paris |
Vendbanimi: | Tiranë |
Datëlindja: | 31/8/1935 |
Profesioni: | Arkitekt |
Gjyqi | |
Data e Arrestimit: | 14/10/1978 |
Akuza: | “Agjitacion dhe propagandë kundër shtetit” |
Dënimi: | 10 vjet Burg |
Hetuesi: | Dhimitraq Shkodrani |
Prokurori: | Isamedin Resnja |
Vendimi: | Nr.142 |
Data e Vendimit: | 17/4/1979 |
Gjykatësi: | Fiqiri Haxhademi |
Gjykata: | Gjykata e Rrethit të Tiranës |
Data e Lirimit: | 13/1/1986 |
Maks Velo u lind në Paris, në vitin 1935, në familjen e Sotirit, të diplomuar mjek në Athinë dhe të specializuar okulist në Francë dhe Ani Poros, vajzës së një emigranti nga Dardha e Korçës. Kur ishte 5 vjeç, familja e tij u kthye në Korçë, ku Maksi kreu studimet deri në vitin e dytë gjimnaz. Në Korçë, Maks Velo ka qenë nxënës i piktorit Vangjush Mio. Në vitin 1952, familja është zhvendosur në Tiranë, ku Maksi ka përfunduar dhe studimet e larta në degën e Inxhinierisë së Ndërtimit-Arkitekturës. Dhe pse me profesion arkitekt, piktura ka qenë një pasion, të cilin Maksi e ushtronte rregullisht, i tërhequr nga rryma impresioniste, ekspresioniste dhe surrealiste.
Këto prirje në pikturë dhe qëndrimi kundër doktrinës socialiste në art dhe politikë, sollën dërgimin e tij në disa fshatra derisa e arrestuan në vitin 1978, kur ishte 43 vjeç. Dy vite më parë ai ishte ndarë nga bashkëshortja, me të cilën ka një djalë. Ish-bashkëshortja dëshmoi kundër Maksit për qëndrimet e tij moderniste në pikturë.
U akuzua për agjitacion dhe propagandë kundër shtetit dhe u dënua me 10 vjet burg. Shumë nga pikturat dhe objektet artistike që iu gjetën në shtëpi, 249, u shkatërruan me urdhër të Gjykatës. U lirua me amnisti para mbushjes së afatit të dënimit, në vitin 1986.
Me ardhjen e viteve '90, Maks Velo ka botuar një varg librash me tregime dhe skica rreth kohës së burgut si dhe një koleksion të madh pikturash.