U arrestua më 3.7.1960 në kohën kur bëheshin arrestimet e mëdha të komplotit imagjinar të organizuar gjoja nga çamët e minoritarët, në bashkëpunim me agjenturat e huaja, te i cili Teme Sejko njihet si më kryesori.

Ai u përfshi në një proces së bashku me shtetasit Llambro Sotir Vangjeli dhe Thanas Sotir Vangjeli nga Skora e Gjirokastrës. U akuzuan në bazë të nenit 64 në kombinim me nenin 14 të Kodit Penal, për tradhti ndaj atdheut, se “në bashkëpunim me njëri-tjetrin, gjithmonë të udhëhequr nga motive kundërrevolucionare, qysh nga viti 1947 e deri në vitin 1960...”, janë vënë në shërbim të zbulimit grek dhe kanë kryer një seri detyrash agjenturiale”.

Gjykata Ushtarake Gjirokastër, me vendimin nr.30, datë 21.11.1960, e deklaroi fajtor dhe e dënoi me 25 vjet heqje lirie, konfiskim të pasurisë dhe heqjen e së drejtës zgjedhore për 5 vjet. U la në fuqi me vendimin nr.92, datë 28.12.1960 të Kolegjit Ushtarak të Gjykatës së Lartë. U sëmur rëndë nga tuberkulozi (TBC) kur vuante dënimin në Repartin nr.303 Spaç. Në këtë gjendje, u soll në spitalin e burgut në Tiranë, ku vdiq më 15.4.1969, në moshën 65-vjeçare. Kësisoj ai rezulton i vdekuri i parë nga Spaçi, në vitin e parë të funksionimit të kampit.

Ju lutem, plotesoni fushat e kerkuara.
Mbyll formen

Ju lutem zgjidhni imazhin qe do te ngarkoni.