Klement Miraj | |
---|---|
Informacione Personale | |
Emër/Mbiemër: | Klement Miraj |
Atësia: | Luc |
Vendlindja: | Malësi e Madhe |
Vendbanimi: | Lezhë |
Datëlindja: | 1885 |
Profesioni: | Klerik katolik |
Datë Vdekja: | 21/11/1956 |
Vënd Vdekja: | Burrel |
Gjyqi | |
Akuza: | Agjitacion dhe propagandë |
Dënimi: | 8 vjet Burg |
Vendimi: | nr.62 |
Data e Vendimit: | 24/6/1952 |
Gjykata: | Gjykata Ushtarake e Durrësit |
Dënimi | |
Burgu: | Burgu i Burrelit |
Zhdukja | |
Akuza: | Agjitacion dhe propagandë |
U shkollua në Kolegjin e Françeskanëve të Lezhës. Aty, sipas kodit fetar, atij iu ndërrua emri nga Fran në Klement. Emri i ri lidhej, me sa duket, me origjinen e tij nga malësia e Kelmendit. At Klementi ndryshoi edhe mbiemrin e familjes, nga Mirashaj në Miraj. At Klementi mbaroi me rezultate të shkëlqyera dhe, në bazë të arritjeve të tij, u dërgua në Shkodër për të vazhduar shkollën e mesme. At Klementi ishte i etur për dije dhe, duke pasur rezultate të shkëlqyera të shkollës së mesme, iu krijua mundësia të shkonte për të studiuar Filozofi-Teologji në Universitet, në Graz të Austrisë. Atje edhe u diplomua si student honoris. Pas diplomimit, në vitin 1920, u kthye në Shkodër ku filloi apostolatën e vet. Duke qenë njeri i niveleve të larta kulturore, si edhe shumë i apasionuar në arkeologji, ai u emërua drejtor i Koleksionit Arkeologjik të Kolegjit të Françeskanëve, koleksion që At Shtjefen Gjeçovi kishte mbledhur me shumë dashuri e pasion të veçantë.
Aty punoi pak vite dhe më pas, me vendim të udhëheqjes së Kuvendit të Gjuhadolit, u dërgua me shërbim në Kosovë si famullitar i Pejës. Atje ai ushtroi një veprimtari të madhe patriotike së bashku me At Shtjefën Gjeçovin. Si pasojë e kesaj veprimtarie të dy bashkë u persekutuan, u burgosën dhe u torturuan nga qarqe antishqiptare serbe. Pasi dolën nga burgu, At Shtjefen Gjeçovi dhe At Klementi, u larguan nga Kosova. Pas kthimit nga Kosova, At Klementi, u emërua famullitar ne Rubik ku punoi edhe aty për pak kohë.
Më vonë At Klementi u transferua në Laç të Sebestes. Aty punoi dhe jetoi për shumë vite. Banorët e atjeshëm e donin dhe e respektonin famullitarin e tyre, sepse ai i qëndronte pranë e i donte të gjithë banorët e fshatrave përreth: Laç, Zhej, Mamurras, etj. Ne Laç ai ndërtoi Kishën e re si edhe bëri riparime të shumta në Kishën e Shna-Ndout.
Gjatë kësaj kohe At Klementi, shkruante vazhdimisht në shtypin e kohës artikuj, që ruhen edhe sot, të botuara tek revista Hylli i Dritës, etj., një nga të cilët është për të vërtetën e Kurbinit (1937). At Klementi ishte edhe mbledhës folklori, materiale të cilat ai gjithashtu i botoi në shtypin e kohës.
Në të pestin Provincial Shqiptar, më 17 qershor 1938, At Klementi u zgjodh një nga 4 Definitorët e Provincës Françeskane, me Provincial At Çiprian Nika.
Viti 1944 At Klementin e gjeti të emëruar famullitar në Bizë. Gjatë luftës, duke qenë gjermanishtfolës, ai arriti të shpëtonte rreth njëzet fshatarë që do pushkatoheshin nga pushtuesit gjermanë.
Veprimtaria e tij ishte e orientuar në dy drejtime: për Fe dhe për Atdhe.
Me vendim të Gjykatës Ushtarake, Durrës, nr. 62, datë 24. 06. 1952, mbështetur në nenin 8 të ligjit nr. 372, At Klement Miraj u arrestua dhe u dënua, për agjitacion e propagandë, me 8 vjet burg. Prangat iu vunë në Bizë të Ishmit nga ish-punonjësi i Sigurimit të Shtetit në Durrës, R. Domi. Pas dënimit, u dërgua në burgun e Tiranës dhe, pak më vonë, u transferua në burgun e Burrelit, ku edhe vdiq dhe, deri më sot, nuk i është gjendur as varri.