| Islam Spahiu | |
|---|---|
| Informacione Personale | |
| Emër/Mbiemër: | Islam Spahiu |
| Atësia: | Riza |
| Vendlindja: | Kolesjan, Kukës |
| Vendbanimi: | Tirane2 |
| Datëlindja: | 1931 |
Islam Spahiu, ose Spahia, ishte pinjoll i një familjeje të njohur lumjane. Gjyshi i tij, me të njëjtin emër, ishte patriot dhe luftëtar i njohur.
U lind në 1931 në Kolesjan të Kukësit. Shkollën fillore e kreu në vendlindje me mësues të atin, i cili pati hapur shkollën e parë shqipe të atyre anëve qysh para Pavarësisë. Mësimet e shkollës 7-vjeçare, i kreu në Kosovë, fillimisht në Prizren dhe pastaj në Normalen e Prishtinës. Në periudhën 1946-1950, kreu studimet në Liceun Artistik të Tiranës "Jordan Misja", në degën e Pikturës, të cilat i përfundoi me rezultate të shkëlqyera. Edhe për shkak të biografisë familjare, pas përfundimit të liceut, atij iu akordua një bursë për studime në Akademinë e Artit në Leningrad të Bashkimit Sovjetik, por e drejta e studimit iu ndërpre nga Ministria e Punëve të Brendshme me justifikimin se nuk po mbante qëndrim të mirë moralo-politik dhe po shoqërohej me familje të deklasuara. U emërua mësues vizatimi në Shkollën Pedagogjike të Peshkopisë. Krey 3 vjet ushtri. Punoi 5 vjet si skenograf në Estradën e Shtetit. Në vitet 1970-1975, u internua në Belsh, Elbasan, për mosdenoncim të një batute të kushëririt të tij. U arrestua në 15 tetor 1976 si “armik i partisë dhe i popullit” dhe pas 4 muaj hetuesi, në shkurt 1977, Gjykata e Tiranës me gjyqtare Shegushe Hakanin e dënoi me 6 vjet heqje lirie. E vuajti dënimin në burgun e Spaçit deri në vitin 1982.
Pas rrëzimit të diktaturës, aderoi në Partinë Demokratike të Djathtë. U aktivizua në Shoqatën e të Përndjekurve Poltikë të Shqipërisë ku ishte edhe zëvendëskryetar i saj dhe drejtoi gazetën "Liria" deri në vitin 1997.
Ka shkruar librin "Karuseli i totalitarizmit", botim i ISKK, i promovuar në vitin 2021, disa muaj pas ndarjes nga jeta të Islam Spahias.
