U lind në Tripoli, në vitin 1900, ku i ati, Shaban Qereshniku, ishte Guvernator i Përgjithshëm i Libisë. U dërgua, me të vëllanë, për studime në Vjenë, por ngaqë familja ishte në gjendje të dobët ekonomike, Ihsani u kthye në Shqipëri.

Vazhdoi mësimet në Shkollën Teknike të Harry Fultz-it në Tiranë dhe pas diplomimit, punoi aty si pedagog. Ishte një nga nxënësit më të përgatitur për degët Elektrike dhe Mekanike. Ai hartoi dhe botoi katër tekste shkollore të cilat u miratuan nga Ministria e Arsimit dhe u futën në procesin mësimor. Mbreti Zog e emëroi drejtor të Centralit të Vlorës. Gjatë asaj kohe, dha një kontribut të madh edhe në instalimin e vënien në punë të centraleve të Durrësit e Beratit.

Dha mësim në Shkollën Pedagogjike të Beratit dhe në Medresenë e Tiranës, deri në vitin 1940. Në vitin 1941 shkoi në Torino ku studioi për dy vjet dhe u specializua si radioteknik. Pas specializmit në Torino, ai u kthye në Tiranë ku hapi një laborator për rregullim radiosh.

Herë pas here shkruante e botonte artikuj të ndryshëm shkencorë dhe letrarë në shtypin e kohës dhe sidomos në revistën "Njeriu" që nxirrte Komuniteti Mysliman në Tiranë. Pas mbarimit të Luftës, u emërua në Ministrinë e Ekonomisë që drejtohej nga Nako Spiru i cili e ngarkoi me detyrën e Drejtorit të Drejtorisë së Regjistrimit dhe Konfiskimit të fabrikave dhe punishteve.

Në maj të vitit 1946, u çua me shërbim në Vlorë, ku edhe u arrestua. Sipas dëshmisë së të birit, Bruno Qereshniku, Ihsan Qereshniku u mbajt gati dy vjet në hetuesi fillimisht në Vlorë e më pas në Tiranë me akuzën agjent i Fultz-it dhe ndërlidhës i Fultzit me Mehmet Shehun, të cilin e kishte edhe bashkëshortin e mbesës, Fiqretes. Ai u akuzua së bashku me një grup prej 15 vetash të cilët u quajtën "Grupi i agjentëve amerikanë të shkollës së Fultzit". Sipas Bruno Qereshnikut, kjo ishte një lojë e kurdisur me urdhër të Enver Hoxhës, i cili kishte planifikuar goditjen e një pjesë të Byrosë Politike dhe disa funksionarëve të lartë të Komitetit Qëndror ku bënte pjesë dhe Mehmet Shehu. Pavarësisht torturave, nuk pranoi ta implikonte Mehmet Shehun. U dënua me 8 vite burg nga të cilat kreu 7. Dënimin e vuajti në Tiranë ku shfrytëzohej si radio-teknik për nevojat e Ministrisë së Brendshme.

U lirua nga burgu në vitin 1954. Për të jetuar, hapi një lokal privat për riparim radiosh te Pazari i Vjetër. Ndërsa kishte filluar punë aty, në Teknikumin "7 Nëntori" u hap dega e Radios dhe drejtori Gjergj Canco bëri kërkesë që ta merrte si pedagog, por nuk u aprovua. Pas kësaj, siç ka treguar i biri, Bruno Qereshniku, Canco iu drejtua me një letër Mehmet Shehut i cili dha urdhër që të miratohej kërkesa e tij dhe Ihsani punoi aty deri sa doli në pension në vitin 1962. Gjatë viteve të regjimit komunist familja e Ihsan Qereshnikut u konsiderua familje reaksionare dhe u privua nga shumë të drejta. Nga fëmijët e Ihsanit, vetëm Adriani, mbaroi shkollën e lartë duke u diplomuar në inxhinieri. Adriani punoi për disa vite në Durrës, ku, sipas një mesazhi në kujto.al, ka jetuar dhe është ndarë nga jeta edhe Ihsan Qereshniku.

Pas një udhëzimi për mbiemrat në Shqipëri, familja Qereshniku e ndryshoi mbiemrin në Meidani, që në disa raste shkruhet edhe Mejdani. Ihsan Qereshniku Meidani ka qenë djali i xhaxhait të babait të Presidentit të Republikës, Rexhep Meidani.

Burimi: Dashnor Kaloçi, Memorie.al, Gazeta Shqiptare
Burimi: https://memorie.al/i-diplomuar-ne-torino-vuajti-8-vjet-burg-i-akuzuar-si-nderlidhes-i-mehmet-shehut-me-fultz-in-deshmia-e-te-birit-nipi-i-guvernatorit-te-libise-dhe-djal-xhaxhai-i-ish-presidentit/;
Ju lutem, plotesoni fushat e kerkuara.
Mbyll formen

Ju lutem zgjidhni imazhin qe do te ngarkoni.