Gani Ratkoceri, i cili përdorte mbiemrin Demiri, ishte mësues nga Kosova. Në vitin 1951, arratiset nga Jugosllavia në Shqipëri, ku u dorëzua në postën kufitare. Pas një muaji, e emëruan mësues në Berat, ku filloi punë, si vullnetar, në fshatin e Drobonikut. Në ‘52-‘53 kryen maturën në Elbasan pasi nuk e kishte mbaruar në Kosovë. Në vitin 1954 i del e drejta e studimit në Institutin e Lartë Pedagogjik, dega Gjuhë-Letërsi. U emërua mësues në Tiranë.

Gani Ratkoceri i kishte shkruar letër Mehmet Shehut mbi disa çështje të arsimimit të të rinjve kosovarë në Shqipëri, për mënyrën si trajtohej historia e Kosovës në Institutin e Letërsisë dhe Historisë, mungesën e plotë të shkrimeve për Kosovën dhe artit kosovar në mediat e Shqipërisë. Ai u ngarkua nga ministri i Arsimit, Manush Myftiu, për të mbledhur emrat e të rinjve kosovarë që dëshironin të vazhdonin studimet e larta në Shqipëri. Në vitin 1962, shkroi një artikull për Hasan Prishtinën. Ai, bashkë me profesorë të njohur nga Kosova, i kishte kushtuar disa vite studimi, personalitetit të Hasan Prishtinës, i cili trajtohej si tradhtar në historinë e Shqipërisë.

Pas 17 vitesh, doli vullnetar të shkonte në Mirditë, por regjimi e trajtoi si të internuar, për të gjetur dëshmitarë për ta dënuar, pasi i kishin dështuar planet për ta arrestuar në Tiranë. Në vitin 1978 dënohet si irredentist. Meqë nuk kishte nen për irredentizëm, e dënojnë për agjitacion dhe propagandë me urdhër të UDB-së jugosllave, me 9 vjet burg. Nuk e pranon akuzën dhe bën disa ankesa për t'iu njohur pafajësia.

E kreu dënimin në burgun e Tiranës dhe më pas në Ballsh, nga ka shkruar dy letra ku akuzonte Sigurimin dhe operativët për trajtimin e kosovarëve, të njerëzve të pafajshëm dhe ridënimet. Më pas e çojnë në burgun e Spaçit, nga shkruan sërish letër për ministrin e ri të Brendshëm, Hekuran Isai, pas arrestimit të Kadri Hazbiut dhe pas kësaj letre ku kërkonte pafajësinë, falet me dekret të posaçëm më 12 maj 1983. Në dhjetor 1984 merr pafajësinë.

 

Mbyll formen

Ju lutem zgjidhni imazhin qe do te ngarkoni.