| Fuat Asllani | |
|---|---|
| Informacione Personale | |
| Emër/Mbiemër: | Fuat Asllani |
| Atësia: | Bexhet |
| Vendlindja: | Bejrut, Liban |
| Vendbanimi: | Elbasan |
| Datëlindja: | 15/9/1897 |
| Profesioni: | jurist, gazetar, diplomat |
| Datë Vdekja: | 27/5/1981 |
| Gjyqi | |
| Akuza: | «Agjitacion e propagandë» |
| Dënimi: | 5 vjet Burg |
| Vendimi: | 5 janar 1952, Gjykata e Lartë Ushtarake |
Fuat ose Fuad Asllani ishte gazetar, diplomat, në vitet 1929-1939 dhe ministër i Punëve të Jashtme gjatë periudhës 21 tetor 1935-7 nëntor 1936.
U lind në vitit 1897, në Bejrut të Libanit, në një familje shqiptare që kish nxjerrë disa funksionarë të lartë të Perandorisë Osmane. Në vitet 1908-1917 ndoqi në Stamboll arsimin fillor dhe atë të mesëm te "Robert College". Më 1917-1923 me anë të një burse akorduar nga komanda ushtarake austro-hungareze në Shkodër, studioi në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Vienës, ku u diplomua për jurisprudencë.
Është një nga themeluesit dhe kryetari i parë i shoqërisë studentore «Albania», që u themelua në Vjenë, më 10 mars të vitit 1918 dhe redaktor përgjegjës i organit të shoqërisë, revistës «Djalëria» (për katër numra të vitit 1922). Bashkëpunoi dhe me gazetën «Liria kombëtare». Në vitin 1929 hyri në shërbimin diplomatik shqiptar. Përfaqësoi vendin në Sofje, Londër (1934- 1935) dhe në Lidhjen e Kombeve.
Nga 21 tetori i vitit 1935 deri më 7 nëntor 1936 ushtroi funksionin e ninistrit të Punëve të Jashtme në Qeverinë e kryesuar nga Mehdi Frashëri.
Më 1946, u dëbua familjarisht nga Tirana dhe u vendos në qytetin e Elbasanit.
Më 5 janar 1952, Gjykata e Lartë Ushtarake e deklaroi fajtor për «krimin e agjitacionit e propagandës» dhe e dënoi me 5 vjet heqje lirie, konfiskimin e pasurisë dhe humbjen e të drejtës elektorale për 3 vjet kohë. Vdiq në vitin 1981, në Elbasan.
