Ferit Vokopola | |
---|---|
Informacione Personale | |
Emër/Mbiemër: | Ferit Vokopola |
Datëlindja: | 18/8/1887 |
Gjyqi | |
Data e Arrestimit: | 20/2/1945 |
Vendimi: | Nr.166 |
Data e Vendimit: | 11/8/1945 |
Gjykata: | Gjykata Ushtarake Tiranë |
Data e Lirimit: | 19/9/1947 |
Ferit Vokopola (1887-1967). Firmëtar i Pavarësisë.
Lindi në Vokopolë, më 18 gusht 1887, i biri i Mustafa bej Vokopolës. Më 1906 mbaroi gjimnazin e Beratit dhe studioi në Universitetin e Stambollit për drejtësi dhe ekonomi, ku pas 1908 bashkëpunoi me gazetat "Zgjimi" dhe "Bashkimi i Kombit". Më 1910 u emërua kryesekretar i zyrës së pasurisë të shtetit në Bishanak të Fierit.
Më 1912 mori pjesë në Kuvendin e Vlorës, ku dhe firmosi në deklaratën e Shpalljes së Pavarësisë me siglën "M. Ferit Vokopola". U caktua kryesekretar i Ministrisë së Financave në qeverinë e Ismail Qemalit, pas 1914 qe kryesekretar i Ministrisë së Punëve Botore në qeverinë e Turhan pashë Përmetit. Në Kongresin e Durrësit qe përfaqësues i Lushnjes, mbajti fjalën e hapjes dhe u zgjodh sekretar.
Në vitet 1923-1925, në periudhën 1927-1928 ka qenë ministër i Bujqësisë dhe zëvendësisht i Punëve Botore, më pas më 1928-1939 u zgjodh sërish deputet në duke përfaqësuar prefekturën e Beratit; ku më 1928 qe nënkryetar i Asamblesë Kushtetuese. Më 1925 u shpreh në parlament për Tiranën kryeqytet. Në fushën e legjislacionit Vokopola u shqua si një nga ligjbërësit kryesorë të Parlamentit të viteve ‘20-‘30. Ai së bashku me deputetë të tjerë përgatitën dhe miratuan në parlament Kodin Civil të viteve ’30.
U arrestua më 20.2.1945. Gjykata Ushtarake Tiranë, me vendimin nr.166, datë 11.8.1945, e deklaroi fajtor dhe e dënoi me 2 vjet burgim. Lirohet më 19 shtator 1947.
I kaloi vitet e pleqërisë , si përkthyes i dokumenteve historike nga osmanishtja.