Ndre Zadeja | |
---|---|
Informacione Personale | |
Emër/Mbiemër: | Ndre Zadeja |
Atësia: | Gjon |
Vendlindja: | Shkodër |
Datëlindja: | 3/11/1891 |
Profesioni: | klerik katolik, poet |
Datë Vdekja: | 25/3/1945 |
Vënd Vdekja: | Shkodër |
Arsyeja e Vdekjes: | Ekzekutim me pushkatim |
Gjyqi | |
Data e Arrestimit: | 10/2/1945 |
Ekzekutimi | |
Lloji Ekzekutimit: | Ekzekutim me pushkatim |
Akuza: | "Strehoi Lazër Shantonë" |
Data Ekzekutimit: | 23/3/1945 |
Vendi Ekzekutimit: | Shkodër |
Dom Ndre Zadeja (1892-1945) i biri i Lukes dhe Gjonit, lindur në Shkodër, më 3 nëntor 1891.
Klasat e para i kreu pranë një shkolle që mbahej nga Austro – Hungaria. Nga klasa e katërt e deri sa mbaroi gjimnazin studioi në Kolegjin Saveriane. Në periudhën 1913-1916, studioi në Universitetin e Innsbruck-ut, ku ishin edhe Sirdani, Gàzulli e shumë meshtarë të ardhshëm, që u dhanë me kohë posaçërisht pas gjuhësisë.
Shugurohet meshtar me datë 26 prill 1916. Ceremonia e rastit u mbajt në Kishën simbol të Shkodrës, aty në kambë të Rozafës së lashtë, Kisha e Zojës së Këshillit të Mirë, e njohun nga populli si Zoja e Shkodrës.
Ai ishte një ndër oratorët ma të mirë të kohës. Mbahej në gojë prej të gjithëve mesha e tij një ditë pas pushtimit italian të Shqipërisë që e quan “ditë zie për shqiptarët”, por kësaj oratorie dhe përfshirjes së tij shpirtërore në ngjarjet që trondisnin atdheun, do ia vuante pasojat me ardhjen e komunistëve në pushtet. Ata e dinin që Dom Ndre Zadeja, që në verën e vitit 1944 i kishte lajmëruar të rinjtë për të keqen që po i afrohej vendit me komunizmin, i cili mohonte Zotin dhe ndaj e arrestuan në vitin 1945. Pas torturash të shumta, që dëshmohen nga bashkëvuajtësi i tij, Dom Mikel Koliqi, më vonë Kardinal Koliqi, Dom Ndre Zadeja dhe 13 burra të tjerë pushkatohen më 26 mars 1945, në orën 5.00. Para togës së pushkatimit ai thirri: Shqipni, moj mizore, çka të baj ma shumë për ty?!
Veçse klerik, Ndre Zadeja ishte dhe poet e muzikant. Ai përktheu dhe shkroi vepra origjinale eklesiastike, të cilat janë kthyer në lutje për besimtarët katolikë të Shkodrës që prej viteve ’20 e këtej.
Por ai do të hynte në botën kulturore të Shkodrës e të Shqipërisë mbarë veçanërisht si autor i melodramave të para shqiptare, veprave skenike të muzikuara po prej tij, a në bashkëpunim me Dom Mikel Koliqin. Ishte sekretar i Arqipeshkvit J. Serreqi, po përveç detyrës së përditshme, ai shpërtheu në shumë fusha, pse përveç veprave skenike, themeloi e drejtoi bandën muzikore “Bogdani”, botoi artikuj me vlerë në fushë të pedagogjisë, ashtu edhe poezi nga ma të bukurat, sa që atëherë u quajt “poeti i ambëlsisë”.
Veprat e tij kishin taban thellësisht kombtar e në shërbim të nevojave jetike të atdheut në ato vite. Melodrama “Ora e Shqipnisë” (1919 – vënë në skenë në 1920), përveç se mbetet vepra e parë skenike e muzikuar, në kushtet e pushtimit të vendit nga fuqi të ndryshme, por sidomos të pushtimit të Vlorës, u kthye në një himn atdhetarie e proteste. Kur u vu në skenë për herë të parë në sallonin e shfaqjeve të Kolegjit Saverian, e protagonsitët këndonin: -“Adrijes m’thuej krenare,/Vlona asht tokë Shqiptare” - spektatorët shpërthyen në duartrokitje të stuhishme: “Rroftë Vlona Shqiptare! Rroftë Vlona jonë!”
Vihen në skenë me radhë melodramat “Ora e Shqypnisë”, “Hijet e zeza”, “Rrethimi i Shkodrës“, “Ruba e kuqe”, “Rozafa” kurse “Shpella e Bogdanit” mbeti dorëshkrim. Veç poezive në fushën e lutjeve, që na ka lënë, botohen ndër fletore të kohës studime në lëmin e edukimit, folklorit, të psikologjisë e traditave veçanërisht ndër zona pak të prekura nga kultura orientale, siç ishin Alpet tona, ashtu edhe disa polemika me korifejtë e kohës.
Megjithë suksesin e veprave të tij artistike, jeta e tij prej meshtari vazhdoi në heshtje. Ai shërbente Mal të Jushit, në Bogë, në Shkrel e së fundi në Sheldi. Pikërisht këtu arrestohet më 2 shkurt 1945 nga shtabi i Brigadës së II, Mbrojtjes së Popullit. Dënohet me vdekje dhe pushkatohet më 23.3.1945 në Shkodër.
Është shpallur Martir dhe i lumë nga Kisha Katolike.