Artur Kice | |
---|---|
Informacione Personale | |
Emër/Mbiemër: | Artur Kice |
Atësia: | Leonidha |
Vendbanimi: | Lushnje |
Datëlindja: | 11/12/1961 |
Datë Vdekja: | 06/12/2019 |
Vënd Vdekja: | Lushnje |
Gjyqi | |
Data e Arrestimit: | 11/10/1976 |
I Torturuar: | Po |
Akuza: | Agjitacion e propagandë |
Dënimi: | 6 vjet Burg |
Hetuesi: | Skënder Korriku |
Prokurori: | Nestor Cani |
Vendimi: | vendimi nr.156 |
Data e Vendimit: | 22/12/1976 |
Gjykatësi: | Sotira Nako |
Gjykata: | Gjykata e Rrethit Lushnje |
Gjyqi i dytë | |
Vendimi: | Dënimi përfundimtar 2 vjet heqje lirie |
Data e Vendimit: | 13/01/1977 |
Gjykata: | Gjykata e Lartë |
Dënimi | |
Burgu: | Reparti nr. 315 - |
Arrestohet më 11.10.1976 nga organet e Degës së Punëve të Brendshme të Rrethit Lushnje, kur nuk i kishte mbushur 15 vjeç. Disa muaj më parë, adoleshenti i qartësuar politikisht nga mjedisi familjar kishte shkruar disa parulla në të cilat shprehej kundër organeve vendore të pushtetit, Partisë së Punës, si dhe pro shteteve perëndimore e demokratike si SHBA, Italia, Britania e Madhe, etj. U deshën shumë muaj derisa erdhi “zbulimi” i armikut të madh dhe dhënia e tij drejtësisë komuniste. U angazhua kriminalistika e u bënë lloj-lloj krahasimesh, derisa u gjet shkruesi e letrave që për çudinë e regjimit nuk ishte ndonjë “armik u kamufluar”. Artur Kice, lindur më 11.12.1961 në Lushnje, nxënës i klasës së 8-të në shkollën “Foto Puka”, u akuzua për shkrim e shpërndarje traktesh. Familja e tij kishte më se 10 vjet që nuk i bëhej pasaportizimi.
Në gjyq deklaron se më 19.1.1976 në shtëpi ka shkruar 31 copë parulla me këtë përmbajtje: “Rroftë Italia”, “Poshtë qeveria e Lushnjes”, “Poshtë Miti Rrapo”, “Më 20 shkurt Shqipëria do sulmohet nga Amerika”, “Rroftë mbretëresha e Anglisë”, “Rroftë presidenti Ford”, “Rrofshin Shtetet e Bashkuara të Amerikës”. Këto ishin shkruar sepse familjes së tij nuk i bëhej pasaportizimi. Në pretencën e tij shoku prokuror kërkon t’i bëhej një analizë e thellë ngjarjes duke kërkuar shkaqet e saj. Ai vënë dukje vigjilencën e qytetarëve Kliti Nushi dhe Qemal Tullaci të cilët i gjetën dhe i dorëzuan fletushkat në Degën e Punëve të Brendshme. Prokurori mendonte se qëndrimi i familjes “për të mos shkruar në fshat për të jetuar e punuar përgjithmonë” ka bërë që adoleshenti të mos edukohej me “frymën revolucionare”, por të ndikohej nga bisedat në shtëpi. Pretenca e prokurorit e cila është një gomarllëk i përkryer, ai vlen të lexohet me qetësi për të shërbyer si mjet humori në pjesë të tilla si kjo e mëposhtmja: “Partia dhe shoku Enver, te rinia e atdheut tonë shohin fidanishten e ardhshme, e cila do të marrë stafetën e revolucionit për ta çuar përpara, por ky i pandehur nuk ka asgjë të përbashkët me këtë rini, e cila me ndjenjën e saj punon për ta bërë atdheun tonë më të lulëzuar duke qenë e para në sakrifica dhe e fundit në pretendime. Shokë gjyqtarë, historia është dëshmitarja e ngjarjeve të shumta me heroizma të mëdha të rinisë sonë për të mbrojtur pasurinë socialiste, ka dhënë edhe jetën e saj, s’ka kodra e fusha të mos jenë larë me gjakun e rinisë sonë, s’ka vepër të mos ketë djersën e rinisë sonë, sepse partia e shoku Enver e ka edukuar me besim në të ardhmen, e gatshme t’i përgjigjet thirrjes së partisë për luftë dhe për punë pa marrë parasysh as sakrificën më supreme, por ky i pandehur nuk bën pjesë në këtë rini, për interesat personale kërkon që të përfitojë padrejtësisht në kundërshtim me normat ligjore, menjëherë bie në gjirin e armikut dhe pranon të shesë fatin e atdheut me cilindo armik e sistem shoqëror që i krijon kushte jetese parazitare". Gjykata e Rrethit Lushnje e përbërë nga Sotira Nako (gjyqtare) dhe Naxhi Ziu e Tafil Sulko (ndihmësgjyqtarë), së prani të prokurorit Nestor Cani, me vendimin nr.156, datë 22.12.1976, e deklaroi fajtor të pandehurin Artur Kice për krimin e agjitacionin e propagandës dhe në bazë të nenit 73/1, e dënoi me 4 vjet heqje lirie. Nuk u aplikua konfiskimi i pasurisë. Në aplikim të nenit 46 të Kodit Penal, dënimi përfundimtar u kthye me 2 vjet heqje lirie. U la në fuqi, me vendimin nr.12, datë 13.1.1977 të Gjykatës së Lartë.