Adije Kaloshi | |
---|---|
Informacione Personale | |
Emër/Mbiemër: | Adije Kaloshi |
Atësia: | Rasim |
Vendlindja: | Berat |
Vendbanimi: | Krujë |
Datëlindja: | 7/2/1925 |
Datë Vdekja: | 28/10/1996 |
Vënd Vdekja: | Fushë-Krujë |
Adije Vrioni Kaloshi lindi në Berat më 7 shkurt 1925. Ishte e bija e Rasim dhe Nadire (Stërmasi) Vrionit. Adija vinte nga familja intelektuale e Vrionasve dhe Stërmasi, familje të cilat kanë dhënë kontribute të vyera intelektuale dhe materiale për kombin shqiptar.
Pas Çlirimit, kreu kursin e mësuesisë së qytetit të Vlorës dhe më pas, emërohet mësuese në fshatin Pashalli të Beratit.
Në vitin 1947, u internua bashkë me familjen në qytetin e Krujës. Fill pas internimit, sipas familjarëve, po në vitin 1947, ajo përpiqet të riemërohet mësuese e fshatit Pashalli të Beratit ku jep mësim në ciklin e ulët (fillore).
Atje, në vitin 1950, u njoh dhe me bashkëshortin e saj të ardhshëm, Xhemal Kaloshi i cili ishte i dëbuar/internuar pas daljes nga burgu në 1949-ën, për "motive politike". Jo shumë vonë, ajo do të shkarkohej nga puna e mësimdhënies. Jetuan në disa fshatra në Shqipërinë e mesme ku u vendosën përfundimisht në Fushë-Krujë. Adija, tërë jetës, bëri një seri punësh të ndryshme të rënda fizike. Në vitin 1962, filloi punë në grumbullim në punishten e duhanit të Fushë-Krujës si shfletuese. Në moshë të thyer, arriti të bëhej edhe edukatore, profesion të cilin e ushtroi nga viti 1971-1976 në kopshtin e qytetit të Fushë-Krujës.
Me transfermin nga Fushë-Kruja në fshatin Larushk, punoi si rrobaqepëse në Kooperativën Bujqësore ‘Partizani’ nga ku doli në pension në vitin 1980.
Adija ndërroi jetë në Fushë - Krujë më 28 tetor 1996, 14 vjet pas bashkëshortit, Xhemalit. Adija la pas pesë fëmijë dhe njëmbëdhjetë nipër e mbesa.