U hap në Tiranë, në janar 1950, në rrugën “5 Maji”, si repart i specializuar për kryerjen e punimeve të ndryshme artizanale. Deri në gusht 1950 burgu varej nga Dega e Prapavijës në MPB e më pas kaloi në varësi të Degës së Kampeve dhe Burgjeve. Punëtoria u vendos në ish-fabrikën e cigareve “Flora” të Ibrahim Biçakçiut. Të dhënat arkivore për repartin janë të pakta, ndërsa nuk ekziston asgjë si fond arkivor më vete. Reparti u ngrit për të shfrytëzuar punën profesionale të të burgosurve. Në vitin 1950, trupa e të burgosurve ndahej në punë në 5 sektorë: rrobaqepës, këpucarë, marangozë, mekanikë dhe përkthyes. Sipas të dhënave të kësaj kohe, ishin kryer 3.390 ditë pune. Mirëpo, shumë shpejt kjo shifër u rrit.

Përballë aeroportit të vjetër të Laprakës, u ndërtua ofiçina e Ministrisë së Punëve të Brendshme. Kolec Pikolini, me profesion elektricist, asokohe djalosh 27-vjeçar, i dënuar me 20 vjet burgim, u bë në vitin 1950 pjesë e burgut të Artizanalit. Pa zënë vend mirë akoma është dërguar për ndërtimin e ofiçinës në fjalë. Pasi ka mbaruar ndërtimi i ofiçinës, ajo është pajisur me mjetet e elektro-mekanikës. U vendosën torno, elektroauto, kovaçhana, karroceri etj. Në oborrin e saj mbilleshin perime me punën e të burgosurve. Më 21 gusht 1952, Pikolini dhe një shoku i tij, mundën të arratiseshin prej ofiçinës.

Në fillim të vitit 1953 raportohej se ishin kryer 143.000 ditë pune. Të dhënat e para që tregojnë ndarjen e të dënuarve janë ato të vitit 1954, kohë në të cilën raportohet për 150 gra të burgosura. Në këtë kohë reparti kishte si efektiv shërbimi, 70 persona. Pas vitit 1955 të burgosurit politikë pakësohen dhe rriten ata ordinerë. Kjo vinte prej faktit se të burgosurit politikë kërkoheshin në kampet e tjera të punës. Në tremujorin e parë të vitit 1956 të dënuarit punonin në zdrukthëtari, rrobaqepësi, këpucari, mekanikë, kovaçhanë, mesagjeri (përkthime, shtyp etj.), karton. Norma vlerësohej e realizuar në 60%. Po në vitin 1956, raportohet se në varësi të repartit ishin edhe të burgosurit që punonin në uzinën “Dinamo”. Në këtë uzinë punohej për rregullim makinerish, prodhim mallrash të konsumit të gjerë dhe prodhim global. Rrjeti sekret i kësaj kohe paraqitej me 30 informatorë, 2 rezidentë dhe 1 agjent. Problem i kësaj kohe për repartin ishte stoku që ishte krijuar nga puna e të burgosurve, pasi mallrat nuk ishin shitur. Në këtë repart vuanin dënimin edhe disa jugosllavë të dënuar në Shqipëri.

Raportohej se në vitin 1957 të dënuarit Isuf Çeka, Ndoc Pali, Zef Pali, Nusret Sazani, Thanas Papadhami, Zafer Vila bënin propagandë antikomuniste. Në fillim të nëntorit 1958, raportohej se në repart punonin 27 të dënuar politikë (prej të cilëve 24 gra) dhe 379 ordinerë (prej të cilëve 139 gra), që përbënin gjithsej 406 të dënuar.

Më 8.10.1961 lirohej nga ky burg Musine Kokalari, simboli i qëndresës së gruas shqiptare. Ajo zhvendosej në një lloj tjetër vuajtjeje dënimi, në internim. Kishte vuajtur plot 15 vjet burg. Nga praktika e dosjes së saj, mësohet se të paktën prej vitit 1957, gratë e artizanalit punonin në fermën bujqësore “Ylli i Kuq” i Valiasit. Në vitin 1957, gjatë dhënies së një mendimi për lirim me kusht, sjelljet e saj konsideroheshin prej regjimit “jo të mira politikisht”. Akuzohej se brenda në burg “në mënyrë shumë të hollë e të rafinuar” zhvillonte agjitacion e propagandë. Për këtë qëllim ishte demaskuar disa herë. Musineja kishte thënë se në burgjet tona nuk kishte kurajë civile. Nga kjo e dhënë provohej se ferma e Valiasit ka shërbyer si vend ku vuanin dënimin gratë e dënuara në vitet 1956-1961. Është për t’u theksuar se në kushtet kur në Shqipëri nuk ka pasur burg grash, reparti në fjalë i artizanalit ka kryer në një sektor të tij, rolin e burgut të grave.

Në vitin 1965, në repart punonin 226 burra dhe 154 gra që përbënin gjithsej 380 të dënuar. Shifra e fundit është ajo e vitit 1966, prej së cilës rezulton se këtu punonin 226 burra dhe 154 gra. Kjo është e dhëna e fundit në lidhje me këtë repart, i cili mbyllet në vitin 1966, ndërsa dorëzimet e fundit bëhen pa të burgosur në fillim të vitit 1967.

Komandantët e repartit në fjalë, përgjithësisht kanë qenë të profesioneve: këpucar, punëtor, çoban. Niveli i tyre arsimor ishte ai fillor. Nuk kemi mundur të vjelim të dhëna për komisarët, por besohet se në këtë lartësi është edhe niveli i tyre.

 

Shifrat e të burgosurve paraqiten si më poshtë:

Viti 1950, 155 të burgosur

Viti 1953, 827 të burgosur

Viti 1954, 510 të burgosur (253 politikë, 257 ordinerë)

Viti 1955, 433 të burgosur (215 politikë, 218 ordinerë)

Viti 1957, 528 të burgosur (140 politikë, 388 ordinerë)

Viti 1958, 528 të burgosur (48 politikë, 280 ordinerë)

Viti 1959, 742 të burgosur

Viti 1960, 406 të burgosur

Viti 1961, 400 të burgosur

Viti 1963, 295 të burgosur (11 politikë dhe 284 ordinerë)

Viti 1965, 380 të burgosur

Viti 1966, 410 të burgosur

 

 

Ju lutem, plotesoni fushat e kerkuara.
Mbyll formen

Ju lutem zgjidhni imazhin qe do te ngarkoni.