U nda nga jeta më 24.8.2026 në Tiranë, ish-i dënuari politik, Shpëtim Ramazan Stërmasi, i cili vuajti 14 vjet, 3 muaj dhe 16 ditë heqje lirie në vitet 1976-1991. I ndjeri u lind në Tiranë më 12.3.1949. Kishte pasur edhe babanë të dënuar politik. Në dy vendimet e dënimit të tij në vitet 1977 dhe 1980 thuhen të dhëna kontradiktore për arsimin. Në dënimin e parë thuhej se kish mbaruar arsimin 7-vjeçar dhe ishte me profesion axhustator. Në dënimin e dytë, thuhej se kish mbaruar 11 klasë dhe ishte elektricist. Pas vitit 1992, Stërmasi punoi në strukturat e Policisë si shef i komisariatit në Elbasan, në Mat, me Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, etj..
Dënimi i parë
U arrestua më 25.9.1976, në moshën 27-vjeçare. U akuzua në bazë të nenit 73/1 të Kodit Penal të vitit 1958, në kombinim me nenin 12, d.m.th. për agjitacion e propagandë. U përfshi në një proces së bashku me shtetasit: Fatos Kërluku, Petrit Alushi, Arian Gjergji, Bektash Satko. Për të gjithë theksohej se, në bashkëpunim me njëri-tjetrit, kishin bërë agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor.
Gjykata e Rrethit Tiranë, e drejtuar nga Jani Vasili, me pjesëmarrjen e prokurores Afroviti Gjebero, me vendimin nr.51, datë 8.2.1977, e deklaroi fajtor dhe e dënoi me 9 vjet heqje lirie. U la në fuqi me vendimin nr.64, datë 28.2.1977 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë.
Dënimi i dytë, ridënimi në Spaç
U arrestua më 21.7.1980, duke vuajtur dënimin në Repartin nr.303 Spaç. U akuzuan në bazë të nenit 55/1 në kombinim me nenin 13 të Kodit Penal të vitit 1977, për agjitacion e propagandë. U përfshi në një proces së bashku me të dënuarit: Gjokë Margjoni, Nikollë Frroku, Ferit Tahja, Gëzim Medolli, Enver Mustafaraj, Bardhyl Çitozi.
Midis të tjerash, në vendim thuhej: “Gjatë kohës së vuajtjes së dënimit, këta të pandehur nuk e kanë ndërprerë aktivitetin e tyre armiqësor kundër partisë e pushtetit tonë popullor, përkundrazi, e kanë thelluar më shumë. Ata kanë agjituar e propaganduar kundër vijës politike marksiste-leniniste që ndjek PPSH për ndërtimin socialist të vendit, udhëheqjes së partisë, luftës që zhvillon partia kundër armiqve të brendshëm e të jashtëm dhe masave me karakter politik dhe ekonomik të marra prej saj për ndërtimin socialist në vendin tonë duke synuar të dobësojnë dhe minojnë shtetin e diktaturës së proletariatit në vendin”.
Deri ditën e ridënimit kishte vuajtur 3 vjet, 10 muaj e 27 ditë. Me punë kishte fituar 2 muaj e 5 ditë. I mbeteshin edhe 4 vjet, 10 muaj dhe 28 ditë heqje lirie. Midis të tjerash, në vendim thuhej: “Edhe i pandehuri Shpëtim Stërmasi, megjithëse i dënuar një herë për krimin e agjitacionit e propagandës, të cilin e vuan në Repartin nr.303 Spaç, nuk e ka ndërprerë veprimtarinë e tij armiqësore për dobësimin e minimin e pushtetit popullor”.
Procesi gjyqësor u zhvillua në Repartin nr.303 Spaç. Dolën 22 dëshmitarë, prej të cilëve vetëm një nënoficer.
Gjykata Popullore e Rrethit Mirditë, e drejtuar nga Mihal Kazanxhi, me pjesëmarrjen e prokurorit Vaskë Dimoshi, me vendimin nr.39, datë 11.9.1980, e deklaroi dhe e dënoi me 10 vjet heqje lirie. Në bashkim të dënimeve, u dënua me 14 vjet heqje lirie. U lirua më 10.1.1991 nga Reparti nr.305 Përparim, me dekretin nr.7444, datë 5.1.1991 të Presidiumit të Kuvendit Popullor