Një det me vuajtje, ku mbytej shpresa për të dalë gjallë që aty, por kurrë, kurrë dinjiteti njerëzor! Të moshuarit ishin një pamje e zakonshme e burgjeve të diktaturës: të plakur aty, apo të sjellë rishtas në moshë të thyer. E megjithëse pa fuqi fizike, thuajse të gjithë, mbartnin energjinë për të dalë mbi gropën thithëse të regjimit dhe për t’u kthyer në shkollë, motivim dhe forcë për më të rinjtë…
Në rrëfimin e thuajse çdo të dënuari politik do të dëgjosh, të paktën një herë, për të paktën një të moshuar që e ka njohur në burg dhe thuajse përherë, ai i moshuar kujtohet me nderim, gati me admirim. Kujtohet për këshillat e urta, për motivimin për të ruajtur të paprekur dinjitetin njerëzor, kujtohet për dijet e fituara në universitetet e botës apo thellësinë e viteve, të cilat ua përcillte me një kënaqësi të veçantë më të rinjve. Ndoshta jeta e tyre kishte marrë fund aty në burg, por misioni i saj jo.
Nuredin Boriçi, u kushton një shkrim të tërë pleqve të burgosur, duke e quajtur dënimin dhe mbajtjen e tyre në burg, “turpin e diktaturës”. Nuk i përmend të gjithë sepse do ishte thjesht e pamundur, por ndalet te disa prej të dënuarve të moshuar me të cilët ka ndarë kohën e tij të dënimit. Një prej tyre është doktor Miçoja, sjellja e të cilit në burg është tabloja ndoshta më e qartë e mosheqjes dorë nga misioni, pavarësisht rrethanave të vështira.
Doktor Miçon e arrestuan në prag të moshës 60 vjeç dhe e dënuan me 18 vjet burg "për tradhti ndaj atdheut, duke u vënë në shërbim të zbulimit grek" dhe "për agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor", dy akuza tipike që prodhoheshin në laboratorin e Sigurimit, të cilat ishin përzierë bashkë për ta pasur edhe më të fortë efektin. Ndoshta kishin llogaritur se me këtë dënim, mjeku nuk do të dilte më nga burgu, por kur po afronte mbushja e afatit dhe doktori ende rezistonte, ndërkohë që hynte në punë jashtëzakonisht si mjek i të dënuarve, vunë në lojë, edhe një herë, kartën e zakonshme të “agjitacionit dhe propagandës” dhe e ridënuan me 10 vite të tjera. Ky do të ishte dënimi i fundit. Doktor Miçoja u nda nga jeta në burgun e Burrelit. Ishte dhjetëvjeçari i tij i tretë i dënimit. Sigurisht i ka munguar liria, familja, miqtë, por të paktën ai nuk u privua nga profesioni që te mjekët e vërtetë është njëkohësisht mision dhe nuk i mungoi as shpërblimi. Shumë të dënuar që në tre dhjetëvjeçarët e tij të burgut, kishin pasur rast të merrnin ndihmë nga Miço Konomi, betoheshin “për kokë të doktorit”.
Dhimitër Konomi, apo Miçoja siç i thërrisnin të gjithë, pavarësisht peshës së viteve që i shtohej mbi supe, mbeti gjithmonë i papërtuar. Po të ishte i lirë, do kishte dalë në pension me kohë, por aty në burg, ai ishte në shërbim të pandërprerë ndaj të sëmurëve që, për shkak të punës së rëndë, moshës, aksidenteve, kequshqyerjes e torturave, ishin të shumtë. Koha e gjatë e dënimit e çoi në disa burgje: i Elbasanit, Vlorës, Laçit, Përparimit, Ballshit, Zejmenit dhe kudo shërbeu me shpirt. “Vetëm të burgosurit e dinë se me sa përkushtim punoi doktor Miçoja, pa bërë dallim nëse ishte gjeneral i luftës, apo ministër i rrëzuar, bujk apo bari. Për të, të gjithë ishin të barabartë”, shkruan Nuredin Boriçi në pjesën e titulluar “Pleqtë e burgosur, turpi i diktaturës”. Ish-i dënuari, Boriçi shkëput një kujtim me dr.Miçon kur në burg kishte hyrë edhe ish-sekretari i Komitetit Qendror për Tiranën, dënuar diku rreth vitit 1975, Dashnor Mamaqi. “Në një rast në Ballsh, duke biseduar me të, i kërkova t’i bënte një vizitë Dashnor Mamaqit, që nuk ndihej mirë. M’u përgjigj: Do vij, por më parë, më shoqëro të lutem, deri te kapanoni shtatë se aty më ka kërkuar një çoban nga Korça. Të respektoj radhën, njeriun…” Pikërisht atë respekt që diktatura ua kishte mohuar qenieve njerëzore që prej instalimit të saj e që u bënte mirë si ilaç i rrallë, të dënuarve, kur ua dhuronte doktori.
Në burgun e Ballshit, kapanoni me numrin 9 u ishte rezervuar më të moshuarve. Aty rrinte si i dënuar edhe doktor Miçoja, edhe pse, si mjek, shëtiste në të gjitha kapanonet. Bashkë me doktor Miçon që në 1980-ën ishte 77 vjeç, Nuredin Boriçi, përmend Myqerem Janinën, 92 vjeç, Zef Malën, 80 vjeç, Mikel Koliqin 80 vjeç, Qemal Gegën, 70 vjeç, Thoma Plasën, 70 vjeç, Gaqo Pecin, 60 vjeç. Ishin intelektualë të rrallë dhe njerëz që mbanin një copëz historie me vete dhe ndoshta pikërisht për këto vlera, së pari, regjimi komunist i kishte dënuar.
Kishte mes të moshuarve të burgjeve të Shqipërisë edhe ish-tregtarë, që pas florinjve dhe çdo pasurie, regjimi i kishte marrë edhe lirinë; kishte ish-gjimnazistë të shkollave të mesme më në zë; ish-studentë të universiteteve perëndimore; ish-luftëtarë kundër pushtuesve; ish-ministra dhe ish-ambasadorë; klerikë të besimeve të ndryshme…Disa prej tyre e mbyllën jetën në burg: në qeli ose në spitale, por pati edhe nga ata që, duke sfiduar pritshmëritë njerëzore dhe planet e diktaturës, arritën të dalin të gjallë si Myqerem Janina që jetoi 99 vjet, për të shijuar edhe pak vite jetë pas daljes nga burgu, apo Mikel Koliqi, që arriti të jetonte madje edhe rënien e diktaturës dhe t’i kthehej shërbimit kishtar duke u shuguruar kardinal i Kishës Katolike. Një jetë, si një pikturë e triumfit mbi diktaturën, por ai triumf, nuk mungoi as në jetën e atyre që nuk dolën të gjallë nga burgu. Dhe pse pa shpresë për jetën e tyre, arritën të përcillnin optimizëm dhe vlera. Dhe pse të pafuqishëm fizikisht, ishin burim i forcës shpirtërore.
Shënime:
Kujtimet e Nuredin Boriçit janë shkëputur nga libri "Antologjia e plagëve-nën terrorin komunist", botim i QSHRT.
Fotoja kryesore është ilustruese. Burimi: Google.