Klerik bektashi, patriot, gjysh i gjyshatës së Turanit, i njohur me emërtesën fetare Baba Zylfo Turani.

U lind në vjeshtën e vitit 1883 në fshatin Vërlen të Devollit. I biri i Jasharit dhe Fatimes. Emrin ia vendosi xhaxhai i tij, kleriku bektashi baba Hysen Zaimi. Dy klasat e para në mejtepin e fshatit e ndihmuan të merrte mësimet e para në turqisht, ndërsa shqipen mësoi ta shkruante në teqenë e Kuçit. Humbi të atin në moshë të njomë. Më pas, xhaxhai e mori në teqe dhe Zylfiqari zgjodhi edhe vetë rrugën e shërbimit fetar, duke u konsakruar dervish rreth moshës 19-vjeçare.

Teqeja e Melçanit ku ai shërbente u kthye në stacion të patriotëve korçarë dhe komiteteve shqiptare të shpëtimit të organizuara në këtë zonë për të luftuar kundër perandorisë otomane që në vitin 1905, dhe në vitet 1907-1908 qendër e çetës së Çerçiz Topullit. Zylfiqar Zaimi ishte aktiv në organizimin e këtyre komiteteve, por edhe në shpërndarjen e librave dhe gazetave të para shqip që organizonte teqeja e Melçanit e drejtuar nga baba Hyseni.

Në nëntor 1908, mori pjesë në Kongresin e Manastirit. Në shkurt 1910, u bë organizator i manifestimit në mbrojtje të gërmave latine.

Në vitin 1915, u konsakrua me titullin e lartë bektashi "Baba".

Në vitin 1917, gjatë një sulmi në teqenë e Melçanit, ushtarakët francezë e arrestuan dhe e çuan në burgun e Korçës dhe më pas e internuan në Greqi. U kthye në atdhe në ditët e fundit të vitit 1918. Vazhdoi aktivitetin e shërbimit fetar.

Shërbeu si baba në teqenë e Frashërit, në vijim u shpall postmbajtës i teqesë së Turanit dhe më pas, Gjysh i Gjyshatës së Turanit, në Korçë. Pas pushtimit italian, u shpall postmbajtës i teqesë së Melçanit.

Mbështeti luftën antifashiste. Teqeja e Turanit ku ai qëndronte priste e përcillte si partizanë dhe nacionalistë që luftonin kundër pushtuesve. Megjithatë, mbështetja që iu dha grupimeve nacionaliste i kushtoi jetën Zylfiqar Zaimit, pasi mesnatën e 20 nëntorit 1943, ai u vra nga partizanët në teqenë e Turanit. Ata masakruan dhe intelektualin nacionalist Sabri Panariti dhe nacionalistin tjetër, Refat Goskova dhe të birin, që ishin strehuar në teqe.

Ju lutem, plotesoni fushat e kerkuara.
Mbyll formen

Ju lutem zgjidhni imazhin qe do te ngarkoni.