Pasi rrethohen dhe vriten në përpjekje, prej komunistëve, në vitin 1948, trupat e Fran Mirit dhe Zef Dod Përvukës i çojnë në Gurëz për të frikësuar popullin e zonës. Në mars të atij viti, ata i kishin shpëtuar rrethimit të dy batalioneve të Sigurimit duke lënë të vrarë 7 prej tyre, por të prerë në besë u gjetën pas disa muajsh.
Më tej ata i varrosin në një bregore, jo në varrezat e fshatit. Por megjithë këtë, fshatarët nuk nguronin të vinin natën lule e kurora, e kjo kishte tërhequr vëmendjen e njerëzve të Sigurimit, të cilët kishin lajmëruar kryetarin e Degës së Brendshme në Krujë, Nuri Luçi, (një prej figurave më të diskutuara pas ekspozimit të portreve në Bulevard në muajin nëntor 2019). Sipas dëshmitarëve të zonës, Nuri Luçi kishte urdhëruar që të nxirreshin kufomat nga varret dhe të hidheshin në breg të lumit Mat. Urdhri i tij ishte zbatuar. Policët për gjithë natën kishin zhvarrosur dy kufomat dhe i kishin çuar në një gropë në breg të lumit prej nga eshtrat e tyre nuk do të gjendeshin më kurrë.