U lind në Leskovik më 31 janar 1952. Në vitin 1958, kur ishte 6 vjeç, familja e tij, së bashku me të, u internuan për motive politike në Sektorin Savër, Lushnjë, rreth 4-5 km larg qytetit. Këtu fillon kalvari i vuajtjeve që e shoqëruan gjatë gjithë fëmijërisë dhe rinisë së tij. Qysh në fëmijëri, tek ai spikati talenti për futbollin. U aktivizua në ekipin e shkollës 8-vjeçare Savër. Gjatë kampionatit midis shkollave 8-vjeçare në fundqershorit 1967, talenti i djaloshit 15-vjeçar ra në sy të trajnerëve që punonin me ekipet zinxhirë, P. Shandro, F. Dervishi, Rr. Bafa, të cilët e bënë pjesëtar të ekipit të të rinjve të Lushnjës me trajner Rr. Bafa. Cilësitë e tij si teknike, sportive dhe morale ishin të larta. Falë këtyre cilësive dhe progresit të dukshëm, trajneri i ekipit të parë, A. Toshkezi, në janar 1970, e bëri 18-vjeçarin, pjesëtar të ekipit përfaqësues të Lushnjës, “Traktori”. Pas dy javësh, teksa aktivizohej si mesfushor i majtë, në një ndeshje miqësore me Naftëtarin, shënoi golin e tij të parë me ekipin kryesor të Lushnjës. Por ëndrra që nisi të realizojë në moshën 18-vjeçare, nuk zgjati shumë. Pak më vonë, atë e larguan nga fusha e blertë, në mënyrë demonstrative, duke e zbritur nga autobusi i sportistëve të “Traktorit” me të cilin ishin nisur për ndeshje.

Sipas familjarëve, arsye u bë jo vetëm fakti se i ati ishte i burgosur politik, por edhe sepse nuk pranoi bashkëpunimin me Sigurimin. Vuajti dëbimin nga rrethi i Ersekës në atë të Lushnjës nga viti 1976, deri më 30.9.1991, nga të cilat 7 vjet (1976-1983) internim në fshatin Bedat të Lushnjës. Shkollën tetëvjeçare e përfundoi me një mesatare shumë të lartë, por të rinjve si ai nuk u lejohej vazhdimi i shkollës. Punoi në NB Savër në hapjen e kanaleve.

Shënim: Në foto, me ekipin e Traktorit, vitet 1969-'70, i ulur poshtë, me bërryl mbi top.


Dokumente

Ju lutem, plotesoni fushat e kerkuara.
Mbyll formen

Ju lutem zgjidhni imazhin qe do te ngarkoni.