| Xhemal Kaloshi | |
|---|---|
| Informacione Personale | |
| Emër/Mbiemër: | Xhemal Kaloshi |
| Atësia: | Mahmut |
| Vendlindja: | Krujë |
| Datëlindja: | 12/3/1912 |
| Profesioni: | Mësues |
| Datë Vdekja: | 31/8/1982 |
| Vënd Vdekja: | Fushë-Krujë |
| Gjyqi | |
| Data e Arrestimit: | 9/03/1947 |
| Akuza: | “Motive politike“ |
| Dënimi: | 2 vjet Burg |
| Data e Lirimit: | 29/4/1949 |
Lindi më 12 mars 1912, në Krujë. I biri i Mahmut dhe Fatime Kaloshit, Xhemali vinte nga një familje e cila merrej me tregtinë e vajit të ullirit dhe lëkurave dhe me rrënjë trungu familjar nga Dibra. Në vjeshtë të vitit 1925, filloi studimet në Gjimnazin Shtetëror të Shkodrës ku u diplomua me rezultate të shkëlqyera në vitin 1933. Fill pas diplomimit, u emërua mësues i ciklit të ulët (fillore) në Himarë. Ishte njohës i disa gjuhëve të huaja, intelektual, libërdashës dhe volejbollist i talentuar për kohën.
U arrestua më 17 gusht 1946 dhe në mars 1947, u dënua me 3 vjet heqje lirie për motive politike. Në fund të prillit 1948, u dërgua në kampin e Vloçishtit, ku u detyrua të punonte për tharjen e kënetës së Maliqit. Vuajti dënimin deri më 29 prill 1949, kur iu falën muajt e mbetur gjatë një amnistie masive. Torturat, lodhja, uria, keqtrajtimi në kamp lanë pasoja të rënda në shëndetin e të riut gjatë gjithë jetës.
Pas daljes nga burgu, me një shëndet tepër të dobët prej torturave të disa llojeve, internohet/dëbohet në fshatrat e Beratit ku njihet me Adije Vrionin. Së bashku me Adijen, u zhvendosën në disa fshatra të Shqipërisë së mesme, derisa më në fund u vendosën në Fushë-Krujë. Përveç mësimdhënies, Xhemali ishte dhe trajner volejbolli në shkollat fillore ku jepte mësim.
Në vitin 1966, doli në pension, por vijoi mësimdhënien e gjuhës frënge për oficerët e repartit ushtarak 1085 në Fushë-Krujë. Gjithashtu, përktheu nga italishtja materiale me tema shkencore për Stacionin Foragjer të Fushë-Krujës. Po në 1966-ën, u dekorua me madaljen “Naim Frashëri” për merita pune. Ai u mor edhe me shkrimin e autobiografisë "Valët e jetës". Xhemali dhe Adija arritën që pesë fëmijët, megjithë vështirësitë dhe pengesat, t'i nxirrnin me shkollë të lartë.
Xhemali ndërroi jetë në Fushë - Krujë më 31 gusht 1982. Ai arriti të bëhej dy herë gjysh para se të ndërronte jetë nga një sëmundje e rëndë ku torturat e burgut patën kontributin e tyre në dobësimin e parakohshëm të shëndetit.
