U dënua tri herë nga regjimi komunist, në moshën 15, 25 dhe 30-vjeçare dhe vuajti rreth 19 vjet burg. Në dhjetor 1979, para arrestimit të tretë, tentoi të arratisej, por u pikas nga kufitarët civilë të zonës dhe u kap. U dënua me 18 vjet heqje lirie duke lënë jashtë një djalë të vogël. Shtëpinë ia sekuestruan.

Fillimisht e dërguan në Spaç dhe më pas, në burgun e Burrelit, ku për ca kohë iu bashkua vëllai i vogël, Aleksandri. U lirua në vitin 1990. Fatkeqësisht, u nda nga jeta si pasojë e një aksidenti, në ditët e para të shkurtit 1991, pak kohë pasi ishte liruar nga burgu. Sipas asaj që shkruan i vëllai, Kolec Traboini, në librin "Saga e familjes Traboini nën terrorin komunist", Valentinit nuk iu dha ndihmë në spitalin e Lezhës derisa ndërroi jetë, pasi edhe në çastet e fundit shante qeverinë dhe diktatorin Hoxha.

Përndjekja ndaj familjes së tij nisi që me arratisjen e një prej vëllezërve, Gasper (Gac) Traboinit në vitin 1956, i cili arriti t'u shpëtojë forcave kufitare dhe të largohet nga Shqipëria. Disa nga anëtarët e familjes, u dënuan me burg në periudha të ndryshme, gjatë regjimit komunist.

Fotot (kryesorja, e vitit 1972, pas burgut të parë, tjetra, me djalin një natë para arratisjes) janë marrë nga libri "Saga e familjes Traboini nën terrorin komunist" i Kolec Traboinit, vëllait të Valentinit, botim i ISKK, 2020.

Burimi: Saga e familjes Traboini nën terrorin komunist, Kolec Mirash Traboini, ISKK, Tiranë 2020

Dokumente

Ju lutem, plotesoni fushat e kerkuara.
Mbyll formen

Ju lutem zgjidhni imazhin qe do te ngarkoni.