Tasim  Besho ka dëshmuar në programin "Autor" në RTSH se familja e tij u shpall kulak pas vendosjes së regjimit komunist. I ati u burgos kur ai vetë ishte 5 vjeç. Pas lirimit nga burgu, i ati me të ëmën dhe dy fëmijët, kur Tasimi ishte 9 vjeç,  tentuan të arratiseshin në Greqi për t'i shpëtuar përndjekjes, por u kapën. U mbajtën për disa kohë në burgun e Sarandës: nëna me dy fëmijët në një qeli dhe babai në një qeli tjetër. U liruan pa u dënuar, fillimisht nëna me fëmijët dhe më pas i ati. Nuk u lejuan të kthehen në fshat dhe u vendosën në Durrës.

Tasim Besho nuk u lejua të vazhdojë studimet e larta në Tiranë dhe ndoqi Institutin Pedagogjik të Shkodrës për Matematikë-Fizikë, të cilin e mbaroi shkëqlyeshëm dhe më vonë, me anë të provimeve shtesë, përfundoi edhe Fakultetin e Universitetit të Tiranës. U dërgua ushtar, megjithëse duke qenë se kishte kryer studimet e larta nuk duhej të shkonte. Gjatë kësaj kohe, familja u internua në Rrushkull, ku shkoi dhe Tasimi pasi mbaroi ushtrinë. Fillimisht punoi si mësues në gjimnazin e natës në Ishëm.

Nuk iu dha e drejta për të mbrojtur gradën e docentit, por me ndihmën e profesorëve të tij u orientua në fushën e matematikës së aplikuar dhe pati shumë sukses në zbatimin e metodave matematikore në bujqësi. Edhe pse ia mohuan çmimin e Republikës për rezultatin e arritur, sukseset në zbatimin e metodave matematikore bënë që biografia mos t'i shkaktonte më probleme.

Pas ndryshimit të regjimeve, përveç studimeve të realizuara, nisi një karrierë akademike si pedagog në Universitetin e Barit.

Burimi: https://www.youtube.com/watch?v=9MkSC2-dTng
Ju lutem, plotesoni fushat e kerkuara.
Mbyll formen

Ju lutem zgjidhni imazhin qe do te ngarkoni.