| Sitki Hoxha | |
|---|---|
| Informacione Personale | |
| Emër/Mbiemër: | Sitki Hoxha |
| Vendlindja: | Gjakovë |
| Datëlindja: | 15/12/1927 |
| Datë Vdekja: | 5/6/2007 |
| Gjyqi | |
| Dënimi: | 1 vit Burg |
| Vendimi: | Nr. 123 |
| Data e Vendimit: | 10/6/1946 |
| Gjykata: | Gjykata e Elbasanit |
| Gjyqi i dytë | |
| Dënimi: | 42 vite Burg |
Sitki ose Sytki Hoxha u lind më 15 dhjetor 1927, në Gjakovë. Në moshën 16-vjeçare, angazhohet në luftë krah forcave partizane. Pas lufte, gradohet toger, ndërsa më vonë punon për ca kohë në polici. Sipas Fjalorit Enciklopedik të Viktimave të Terrorit Komunist III, më 10 qershor 1946, me vendim nr. 123, Gjykata e Elbasanit e dënoi si «sabotator i pushtetit», me 1 vit burg. Megjithatë, sipas librit "Sytki Hoxha, një jetë e burgosur", botim i ISKK, në ato vite Sytkiu ndodhej në Kosovë dhe vetëm në shkurt 1949, ai kalon kufirin dhe kërkon strehim politik në Shqipëri i zhgënjyer nga politika në ish-Jugosllavi, pa ditur se në Shqipëri do të gjente padrejtësi dhe mungesë lirish edhe më të madhe.
Në Shqipëri punon për pak kohë si redaktor në gazetën e emigracionit "Za Slobodu" si dhe shkruan artikuj në shtypin e kohës dhe komente për Radio Tiranën, por shpejt përfundon në kampet e internimit për emigracionin si në Llakatund të Vlorës, Seman të Fierit, Çermë të Lushnjes dhe Berat. Duke qenë se nuk i lejohej të kthehej në atdhe, në mars 1957, tenton të kalojë kufirin, por kapet.
Më 24 gusht 1957, me vendim nr. 18, Gjykata e Lartë e dënoi për «tradhti ndaj atdheut dhe për hapje sekretesh», me 15 vjet burg dhe humbjen e së drejtës elektorale për 3 vjet. Pasi lirohet nga burgu, e dërgojnë në kampin e emigracionit të Semanit. Tenton sërish të arratiset, por sërish kapet. Më 8 gusht 1967, me vendim nr. 25, Gjykata e Qarkut të Vlorës e dënoi për «tradhti ndaj atdheut e mbetur në tentativë» me 15 vjet burg. Ridënohet ndërsa vuante dënimin. Më 23 tetor 1979, me vendim nr. 99, Gjykata e dënoi për «krimin e agjitacionit e propagandës kundra pushtetit popullor», me 11 vjet burg. I dënuar gjithsej me 42 vite burg.
U lirua nga burgu i Burrelit më 22 janar 1987. Ambasada e Jugosllavisë në Shqipëri, nuk i dha vizë për t'u kthyer në Kosovë. Me rënien e diktaturës, u largua fillimisht në Gjermani dhe më pas në Norvegji ku u nda nga jeta më 5 qershor 2007.
