Shaqe Çoba | |
---|---|
Informacione Personale | |
Emër/Mbiemër: | Shaqe Çoba |
Atësia: | Zef |
Vendlindja: | Shkodër |
Datëlindja: | 1875 |
Datë Vdekja: | 1954 |
Një nga intelektualet e para shkodrane, themeluese e Komitetit «Gruaja Shqiptare», veprimtare e lëvizjes për lirinë kombëtare dhe emacipimin e gruas. Lindi në vitin 1875, në Shkodër, ku mori dhe mësimet e para. Të mesmen e kreu në shkollën e një kuvendi austriak në Kroaci, kurse studimet e larta për shkenca politike në Venecia. Çoba është mbiemri që mori pas martesës me Ndoc Çobën, kurse mbiemri i vajzërisë ishte Shiroka.
Më 3 gusht 1920 themeloi në Shkodër Komitetin «Gruaja Shqiptare». Ky komitet u krijua kryesisht për të grumbulluar ndihma për forcat shqiptare që luftonin për mbrojtjen e Shkodrës nga agresioni jugosllav (Lufta e Koplikut). Për të informuar publikun lidhur me punën e bërë nga «Gruaja Shqiptare», nga nëntori i vitit 1920 deri në korrik 1921 Komiteti botoi dhe revistën «Gruaja shqyptare». Në vitet 1925-1939 ishte nënkryetare e degës së Shoqërisë «Gruaja Shqyptare» për Shkodrën. Mori pjesë në luftë bashkë me të shoqin, Ndoc Çobën. Pas luftës u dënua për qëndrim kundër pushtetit komunist. Në vitin 2002, me rastin e nëntëdhjetë vjetorit të Pavarësisë, Presidenti i Republikës i akordoi Urdhërin «Naim Frashëri» (pas vdekjes), për pjesëmarrjen e saj në lëvizjen kombëtare të vitit 1920, si luftëtare «kundër ndarjes së Shqipërisë dhe për emancipimin e gruas shqiptare».