Sejfulla Malëshova | |
---|---|
Informacione Personale | |
Emër/Mbiemër: | Sejfulla Malëshova |
Vendlindja: | Malëshove, Këlcyrë |
Vendbanimi: | Ballsh |
Datëlindja: | 2/3/1900 |
Datë Vdekja: | 11/6/1971 |
Veprimtar politik, shkrimtar, përkthyes. Lindi në Malëshove të Këlcyrës, më 2 mars të vitit 1900. Arsimin fillor e kreu në vendlindje, kurse studimet e mesme në kolegjin e Shën Dhimitër Koronës në Kalabri. Këtu, së bashku me mikun e tij Odhise Paskali, botoi revistën «Studenti Shqiptar», ku nxori dhe vjershat e tij të para. Studimet e larta për mjekësi i kreu në Romë. Më 1924 u zgjodh sekretari personal i Fan Nolit në qeverinë e tij demokratike. Me rrëzimin e Nolit, migroi në Paris e, së andejmi, i frymëzuar nga Revolucioni i Tetorit, në Moskë, ku studioi dhe më vonë dha mësim marksizmin. Në Bashkimin Sovjetik, më 1930 hyri në Partinë Komuniste, por më 1932 u përjashtua si buharinist. Aty nga viti 1938 u kthye sërish në Paris e, pas pushtimit të tij nga gjermanët, u vendos në Grenobël. Në verën e vitit 1943 u kthye në Shqipëri, ku u zgjodh anëtar i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste. Më 7 tetor 1945 organizoi kongresin e parë të shkrimtarëve shqiptarë, ku u bë dhe themelimi i Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë, me 74 anëtarë, komunistë e jokomunistë. Pa kaluar shumë kohë, ai u bë zëdhënës i njërit prej dy fraksioneve që rivalizonin për pushtet brenda në parti. Por me përkrahjen e komunistëve jugosllavë, fraksioni i kundërshtarit të tij, Koçi Xoxe, fitoi në fillim të vitit 1946 dhe Malëshova ra. Në një mbledhje të Komitetit Qendror më 21 shkurt 1946, Malëshova u akuzua për opurtinizëm dhe devijim të djathtë dhe u përjashtua si nga Byroja Politike, ashtu dhe nga Komiteti Qendror. U internua për tri vjet në Ballsh, kurse pjesën tjetër të jetës e kaloi në internim të brendshëm si magazinier në Fier, ku, për vite, asnjë banor i qytetit nuk guxonte t’i fliste. Vdiq më 11 qershor 1971. Përveç të motrës, varrëmihësit dhe dy agjentëve të Sigurimit, askush tjetër nuk guxoi të merrte pjesë në funeral.