Sami Dangëllia | |
---|---|
Informacione Personale | |
Emër/Mbiemër: | Sami Dangëllia |
Atësia: | Selim |
Vendlindja: | Menkulas, Korçë |
Datëlindja: | 13/7/1920 |
Datë Vdekja: | 23/4/1987 |
Vënd Vdekja: | Sarandë |
Arsyeja e Vdekjes: | Vdekje ne burg |
Gjyqi | |
Data e Arrestimit: | 12/1944 |
Akuza: | “Kriminel lufte dhe armik të popullit”dhe“tentim arratisje“ |
Dënimi: | 101 vjet Burg |
Vendimi: | nr. 9 |
Data e Vendimit: | 8/10/1945 |
Gjykata: | Gjykata Ushtarake e Korçës |
Gjyqi i dytë | |
Data e Arrestimit: | 2/11/1959 |
Akuza: | Tradhti ndaj atdheut |
Dënimi: | 25 vjet Burg |
Vendimi: | Nr.6 |
Data e Vendimit: | 13/2/1960 |
Gjykata: | Gjykata Ushtarake e Tiranës |
Lindi më 1920, në Menkulas, Korçë. I biri i Selimit dhe Feridesë. Mbiemri i vërtetë i familjes është Danglli, por pas një gabimi, tashmë është bërë i njohur me mbiemrin Dangëllia. Me pushtimin e Shqipërisë nga Italia, e marrin ushtar, ku vazhdon një shkollë ushtarake. Më 1942-43 shërbeu në karabinieri. Në vitin 1943 hidhet në luftë kundër pushtuesve duke u angazhuar me forcat partizane të Brigadës II Sulmuese, në muajt gusht dhe shtator, por shkëputet prej tyre për mospërputhje bindjesh. Në tetor 1943 - 1 shtator 1944 luftoi në radhët e Ballit Kombëtar. Për këtë aryse, arrestohet kur forcat komuniste marrin pushtetin.
Nga dita e parë e arrestimit, tetor ose dhjetor 1944, deri në fund të jetës, 43 vjet më vonë, nuk jetoi asnjë ditë i lirë. Vuajti 38 vjet burg dhe 5 vjet internim.
Më 8 tetor 1945, me vendim nr. 9, Gjykata Ushtarake e Korçës e dënoi si «kriminel lufte dhe armik i popullit», me burgim të përjetshëm, punë të detyruar, konfiskim pasurie dhe humbjen e të drejtave qytetare. Më 19 nëntor 1945, me vendim nr. 250, Komiteti Ekzekutiv i Nënprefekturës Devoll i sekuestroi pasuritë e tundshme e të patundshme: “Një shtëpi me një kat dhe një me dy kate, dy dhoma me gjithë vjeksat, 21 dynymë tokë dhe korie". Në shtator 1954 u lirua nga burgu dhe më 19 maj 1954 u internua në Shtyllas, Fier, deri më 1959. Sipas monografisë së Sulejman Opojës, "Jetë në pranga", kushtuar Sami Dangëllisë, botuar në Tiranë nga Eurorilindja në vitin 1995, Samiu e internua në Shtyllas të Fierit, Kuç të Vlorës dhe Gradishtë të Lushnjës.
Në vitin 1956, prindërit dhe vëllezërit i internojnë në një fermë bujqësore të Fierit, ku jetuan deri në ndryshimin e sistemeve politike.
Më 22 tetor 1959, u nis, së bashku me Haxhi Mekollin, të arratisej nga Shqipëria. Më 2 nëntor 1959, u arrestua në postën kufitare të Nikolicës, Korçë. Në hetuesi pohoi se donte të arratisej, i ishte mërzitur regjimi komunist, i cili e kishte internuar në Lushnjë, ku bënte një jetë të keqe. Ai kishte një teze në Australi. Me vete kishte marrë adresat e njerëzve të tij dhe 4 kg biskota. U dërgua në burgun e Korçës.
Më 13 shkurt 1960, me vendim nr. 6, Gjykata Ushtarake e Tiranës e dënoi «për tentim arratisje», me 25 vjet burg, konfiskim të pasurisë dhe heqjen e të drejtave për 5 vjet. Përmbarimi konfirmoi që s’kishte asnjë lloj pasurie. U dërgua sërish në Burgun e Burrelit ku nisën ta thërrisnin "babagjysh" dhe më pas në Spaç.
Në burg, u ridënua në Revoltën e Spaçit. Më 24 maj 1973, me vendim nr. 1, Gjykata e Lartë e deklaroi fajtor për «pjesëmarrje në organizatë kundër pushtetit, sabotim dhe agjitacion e propagandë» dhe e dënoi me 25 vjet burg, konfiskimin e pasurisë dhe humbjen e së drejtës elektorale për 5 vjet. Vdiq në burg, më 23 prill 1987.