Nexhat Hakiraj ose Hakiu u lind në 20 qershor 1917, në Vlorë. Përfundoi shkollën e mesme tregtare në vendlindje dhe më vonë u diplomua në Institutin e Lartë Teknik të Selanikut. Në vitet ’30-’40, ai ishte një nga emrat më të lakuar në rrethet letrare. Fillimisht punoi si gazetar dhe mësues i letërsisë e më pas u bë bashkëpunëtor i rregullt i organeve letraro-kulturore të kohës si “Bota e re”, “Illyria”, “Përpjekja shqiptare”. Bashkë me emra të tjerë të dëgjuar të kulturës si Mitrush Kuteli, Vedat Kokona dhe Sterjo Spasse, ishte ndër themeluesit e “Revistës letrare” (1944). Gjithashtu drejtoi revistën “Shkëndija” dhe gazetën “Bashkimi i Kombit”, në të cilat shkruante me pseudonimet Ali Dërvella e Nexhat Mahmut Hakiu. Krahas botimeve në shtypin e kohës, botoi vëllimet poetike “Këngët e zambares” (1939) dhe “Këngë gjaku” (1944). Pas çlirimit ka botuar përmbledhjet poetike “Këndoj” (1958), “Fjala ime” (1961), “Një lule mbolla” (1973) dhe “Në garë me stinët” (1977). Më 7 nëntor 1992, Komisioni i ngritur për vërtetimin e kohës së vuajtjes së dënimit me heqje lirie, të faktit të vdekjes së personit në burg pa qenë i dënuar dhe të të pushkatuarve pa gjyq, vendosi njohjen e faktit të dënimit për motive politike në dhjetor të vitit 1944 deri në korrik të vitit 1945 dhe në shkurt të vitit 1951 deri në prill të vitit 1952. U nda nga jeta në moshën 61 vjeçare, në 18 qershor të vitit 1978.

 

 

Burimi: AISKK, F. 1, V. 2014, D. 9, Fl. 40; Muzeu Kombetar
Ju lutem, plotesoni fushat e kerkuara.
Mbyll formen

Ju lutem zgjidhni imazhin qe do te ngarkoni.