Neki Xheneti | |
---|---|
Informacione Personale | |
Emër/Mbiemër: | Neki Xheneti |
Atësia: | Nexhip |
Vendlindja: | Gjirokastër |
Vendbanimi: | Vlorë |
Datëlindja: | 21/1/1881 |
Profesioni: | Avokat |
Datë Vdekja: | 16/8/1944 |
Lloji Ekzekutimit: | Ekzekutim me pushkatim |
Kreu studimet e larta për Drejtësi në Stamboll. Në vitin 1912, u përfshi në lëvizjen për Pavarësi, ndërsa më 1914 ishte anëtar i Komisionit të Palës Shqiptare për caktimin e kufijve jugorë të Shqipërisë sipas Konferencës së Ambasadorëve të Londrës. Më 1920, mori pjesë në organizimin e Luftës së Vlorës, në cilësinë e Kryetarit të Gjykatës. Në Vlorë kishte reputacion të madh si avokat i dëgjuar, si njeri me karakter e burrëri.
Gjatë dimrit 1944 kthehet në Gjirokastër, sepse i vëllai pësoi infarkt nga tronditja e terrorit komunist që në 18-19 nëntor arrestuan dhe pushkatuan disa nacionalistë gjirokastritë. Rrugët e bllokura e vonuan Neki Xheneti, i cili nuk e gjeti dot gjallë të vëllanë. Qytetin e lindjes e gjeti të izoluar, në varfëri dhe nën një presion të madh psikologjik, që krijonte vëllavrasja, ndaj së bashku me disa atdhetarë të tjerë organizoi një komision për administrimin e Gjirokastrës që do të kujdesej për furnizmin e qytetit dhe çdo nevojë tjetër civile e humanitare. Ky komision zgjodhi në muajt pasardhës një delgacion që përbëhej nga Neki Xheneti, Vehip Hasani e Xhemal Babameto për të hyrë në bisedime me Shtabin e Zonës së Parë Operative në Nderan të Zagorisë për të koordinuar veprimet dhe për të shmangur vëllavrasjen, por pasi mbërritën në Nderan, shtabi partizan refuzoi të bisedonte me ta duke i konsideruar tradhtarë.
Arrestohen më 6 gusht 1944 e pushkatohen pa gjyq më 16 gusht 1944, ashtu siç përmbahet në faksimilen e vendimit që i dënon me vdekje në datën 6 gusht 1944, të gjyqit Ushtarak të Shtabit të Zonës I Operative, përbërë nga Komisari Politik, Abdyl Këllezi; Sekretari, Pajtim Shyti; Anëtarët: n/kolonel Islam Radovicka e Rexhep Çami. Sipas këtij vendimi, diktatura e akuzonte Neki Xhenetin se ishte rekrutuar nga ish-Prefekti i Gjirokastrës Vehbi Runa e se ai bashkë me dy heronjtë e tjerë, Vehip Hasani e Xhemal Babameto nuk ishin mesazherët e komisionit të caktuar nga populli i Gjirokastrës për t’i dhënë fund gjendjes së rëndë që përjetonte qyteti qysh nga masakra e 18-19 nëntorit 1943 kur partizanët e udhëhequr nga Shefqet Peçi, arrestuan dhe pushkatuan një varg nacionalistësh të qytetit të gurtë.