Natan (emri i babait figuron si Leiv ose Leon) Shakter (mbiemri gjendet edhe si Schachner) u lind më 4.4.1913 në Sadagura të Ukrainës, në kohën kur ajo ishte tokë e Austrisë.

Rridhte nga një familje me origjinë tregtare të mesme. Familja e tij në Luftën e Parë Botërore u shpërngul në Vjenë. Pas mbarimit të luftës, kreu në Rumani studimet në liceun klasik. Në vitet 1939-1940, ndoqi studimet e larta për mjekësi në Bolonja, por duke u përndjekur si hebre. Në vitet 1940-1941 u internua në Lazareviç të Jugosllavisë. Pasi gjermanët pushtuan Jugosllavinë, u largua dhe në vitet 1941-1942, punoi kamerier në Prishtinë. Në vitet 1942-1943, punoi hamall në një depo barnash në Tiranë. Në vitet 1943-1944, punoi si mjek pa rrogë në Zall-Herr pranë Xhemal Herrit. Pas vrasjes së këtij të fundit, u përfshi në Tujan në Brigadën e 1-rë partizane. Deri në vitin 1951, qëndroi si mjek në ushtri. Në vitet 1951-1954, punoi si mjek në Burrel, e më pas në vitet 1954-1960, mjek në Fushë-Krujë. Nga viti 1960, punonte mjek në spitalin e Durrësit. Pasi në vitin 1955 u martua me Mila Çoratin, mori edhe shtetësinë shqiptare. Në vitin 1958, kreu kursin dermovenerian në Tiranë. Prej vitit 1948 ishte nën syrin e Sigurimit të Shtetit si “agjent i mundshëm i zbulimit gjerman”. Më 10.1.1973 u arrestua në Durrës, i akuzuar për agjitacion e propagandë në bazë të nenit 73/1 të Kodit Penal.

Gjatë hetimit “u zbulua” se ishte vënë në shërbim edhe të shërbimit sekret italian nga viti 1942. Për ta plotësuar si “poliagjent” i shtuan edhe rekrutimin nga zbulimi sovjetik në vitin 1956. Nga torturat e rënda dhe gjendja e paduruar psikologjike, më 17.5.1973 u dërgua për ekspertim në pavijonin nr.7 të Repartit nr.313 Tiranë (spitali i burgut). Më 28.6.1973, doli i përgjegjshëm nga spitali dhe u dërgua në paraburgim në Durrës. Nga këto rrethana të jashtëzakonshme, doktor Natani u vetëvar në qelinë e paraburgimit në Durrës më 30.6.1973 në moshën 60-vjeçare, duke përshtatur rrobat e trupit si litar.

Sipas disa burimeve, ka dëshmitarë që thonë se ai kishte ndërruar jetë në tortura dhe më pas ishte varur nga personeli që krimi të servirej si vetëvrasje.

Mbyll formen

Ju lutem zgjidhni imazhin qe do te ngarkoni.