Muntaz Pumo | |
---|---|
Informacione Personale | |
Emër/Mbiemër: | Muntaz Pumo |
Vendlindja: | Gjirokastër |
Datëlindja: | 1933 |
Profesioni: | Merceolog |
Internimi | |
Data e Internimit: | 5/7/1975 |
Fundi i Internimit: | 3/2/1989 |
Lindi në Gjirokastër, në vitin 1933. Kreu studimet e larta në Moskë, ku u njoh me vajzën ruse, Nina, e cila studionte në të njëjtin universitet dhe që do të bëhej bashkëshortja e tij e ardhshme. Erdhën në Shqipëri në vitin 1958 dhe jetuan e punuan në Tiranë. Më 17 tetor 1975, arrestohet bashkëshortja e tij, Nina Pumo, e cila më pas dënohet me 14 vjet heqje lirie, për tradhti ndaj atdheut në formën e spiunazhit dhe agjitacion e propagandë. Muntaz Pumo dëbohet nga Tirana në Rrëshen së bashku me dy djemtë e tij, Ilirin dhe Mihailin.
Sipas ISKK, në zbatim të vendimit nr. 445, datë 13 dhjetor 1991 të Këshillit të Ministrave, komisioni i krijuar për verfikimin e kohës së vuajtjes së dënimit administrativ me vendim nr. 5, datë 5 shkurt 1992 ka vendosur njohjen e kohës së dëbimit nga rrethi Tiranë, në rrethin Mirditë, prej datës 5 korrik 1975, deri më 3 shkurt 1989.
Më 3 shkurt 1989, ndërsa bashkëshortja ishte liruar nga burgu dhe ishte larguar në Rusi bashkë me djalin e madh, Muntaz dhe Mihail Pumon i internojnë në fshatin Perlat Epër të Mirditës për një periudhë 5-vjeçare, për çështje politike. Me shfuqizimin e internimeve, masa e dënimit të tyre përfundon në 26 prill 1990.
I biri, Mihail Pumo ka treguar për kujto.al se më 27 shtator 1990, ai bashkë me të atin, Muntaz Pumon, u larguan nga Shqipëria për në Moskë ku u bashkuan me pjesën tjetër të familjes.
Në foton shoqëruese: Muntazi me bashkëshorten dhe djemtë, pas ribashkimit në Moskë.