Mihail Pumo | |
---|---|
Informacione Personale | |
Emër/Mbiemër: | Mihail Pumo |
Atësia: | Muntaz |
Vendlindja: | Tiranë |
Datëlindja: | 1967 |
Internimi | |
Data e Internimit: | 20/11/1975 |
Fundi i Internimit: | 26/4/1990 |
Lindi në Tiranë, në vitin 1967. Në 17 tetor të vitit 1975, arrestohet mamaja e tij, Nina Pumo që më pas do të dënohej me 14 vjet heqje lirie me akuzat agjitacion dhe propagandë, tradhti ndaj atdheut dhe spiunazh. Pjesa tjetër e familjes, babai Muntaz Pumo, vëllai Ilir Pumo dhe Mihaili, në atë kohë 8 vjeç, më 20 nëntor 1975, dëbohet nga Tirana në Rrëshen. Në Rrëshen, qëndroi deri në shkurt të vitit 1989, kur u internua për çështje politike, së bashku me babanë, në Perlat Epër të rrethit Mirditë. Sipas dokumenteve, vërtetohet se shtetasi Mihail Muntaz Pumo ka qenë i internuar për «çështje politike» nga rrethi Tiranë, në fshatin Perlat të Mirditës, prej datës 3 shkurt 1989, deri më 26 prill 1990.
Përmes email-it, Mihail Pumo ka treguar për kujto.al se, së bashku me të atin, ai u ndoq sistematikisht nga Sigurimi i Shtetit. Ai dëshmon se më 8 prill 1990 kur ishte duke shëtitur me një shok në kodrat e liqenit të Tiranës, është rrëmbyer nga një furgon me punonjës Sigurimi dhe pasi është çuar në mjediset e burgut 313 të Tiranës, është rrahur në mënyrë barbare, për t'u hedhur më pas, natën në pyll.
Më 27 shtator 1990, bashkë me të atin, largohen përfundimisht nga Shqipëria, për t'u bashkuar në Moskë me nënën dhe vëllanë, të larguar që në vitin 1987.
Në fotot shoqëruese: Mihaili fëmijë me të vëllanë, Ilirin dhe familja pas ribashkimit.