Në moshën 17-vjeçare, teksa studionte në shkollën e mesme pyjore në Shkodër, vendosi të arratisej. E bisedoi planin me një shok të besuar, i cili ishte nga fshati Zogaj i Tropojës, një zonë kufitare dhe në janar 1975, kaluan kufirin në drejtim të Kosovës. Pasi i morën në pyetje, autoritetet e ish-Jugosllavisë, i kthyen në Shqipëri.

Në Shqipëri, ndërsa pyeteshin për personat me të cilat kishin biseduar për arratisjen, u rrahën në mënyrë çnjerëzore. Dhuna vazhdoi në mënyrë sistematike edhe gjatë hetuesisë.

Në gjyqin që u zhvillua në Tropojë, u dënua me 8 vite burg, ndërsa shoku i tij, të cilin e quajtën "kryetar grupi", me 12 vjet.

Ndërsa vuante dënimin në një kamp pune në Torovec të Lezhës, ku shumica e të dënuarve ishin ordinerë, ai shkroi disa trakte me përmbajtje antikomuniste. Pasi u zbulua, u arrestua sërish. Hetuesinë e zhvilloi në Lezhë dhe Tiranë, ku iu nënshtrua disa torturave, përfshirë dhe dhjetëra seanca me elektroshok që ishte një nga torturat e hetuesisë speciale. E torturonin me qëllim që të tregonte shokët me të cilët kishte shkruar traktet, por ai nuk pranoi, siç e kishte vendosur që më parë. Pas 6 muajsh hetuesi, mori dënimin e dytë, po me 8 vjet heqje lirie dhe u dërgua në kamp-burgun e Spaçit, ku qëndroi një kohë të shkurtër dhe u dërgua në Burrel.

Pas 5 vitesh e gjysmë burg, falë amnistive që përfshinin dhe dënimin e tij, u lirua nga burgu për t'u kthyer në Tropojë, ku qëndroi deri në fund të regjimit duke vazhduar të përballet me përndjekjen dhe diskriminimin.

Nga torturat që ka pësuar gjatë regjimit komunist nga bashkëkombësit e tij, në shenjë revolte, ka ndryshuar emrin. Ai sot quhet Zhivko Petroviç. Zhivko është një emër sllav që do të thotë "I gjallë".

Fotoja është marrë nga emisioni Dosja K-Zhivko Petroviç i Report TV

Burimi: Dosja K-Zhviko Petroviç, nga Admirina Peçi, Report TV https://www.youtube.com/watch?v=3E-le3aqQ8U, https://www.youtube.com/watch?v=YJ8LDi5_3rs
Burimi: Zërat e kujtesës, Vëllimi VI, Intervistoi: Luljeta Lleshanaku, Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit (ISKK), Tiranë, 2020
Ju lutem, plotesoni fushat e kerkuara.
Mbyll formen

Ju lutem zgjidhni imazhin qe do te ngarkoni.