Lavdosh Beqo (Sulaj ose Sulo) u lind në vitin 1931 (shqipopedia me burime Fjalori enciklopedik i vikt. të terr. kom. – VËLLIMI I dhe portalin Historia Shqiptare: Krimet e komunizmit shkruan se u lind më 31 tetor të vitit 1932 në Vlorë), në Kaninë, Vlorë.

U arrestua më 1950 për "Veprimtari kundër pushtetit popullor" dhe u dënua me 18 vjet burg. Të atin, Sihat Beqo e shpallën kulak dhe e arrestuan gjithashtu për ta detyruar të dorëzonte floririn, ndërsa pasurinë ua sekuestruan.

Lavdosh Beqoja u dënua bashkë me tre shokë të gjimnazit "Ali Demi" për disa trakte me përmbajtje antikomuniste që kishin përgatitur. Akuzohej se kishte rënë në kontakt me diversantët. U lirua më 1962.

U burgos sërish në vitin 1981 dhe u lirua më 1988.

U largua nga Shqipëria për në Paris më 21 gusht 1990, ku jetoi për vite me radhë duke marrë dhe shtetësinë franceze. Në vitin 2012, në moshën 81-vjeçare, mori pjesë në grevën e urisë para Kryeministrisë, në Tiranë, ku ish-të përndjekurit kërkonin të drejtat e tyre.

Shkrimtari Luan Rama, në shkrimin e vitit 2016 "Lavdosh Sulo harroi të më thoshte përsëri se gjithë kjo ishte një utopi…", pas ndarjes nga jeta të Lavdoshit, shkruante:

Më është e paharrueshme ajo ditë kur me mikun francez Luc Barnier, shkuam të xhironim një takim jo të zakontë, atë të Jusuf Vrionit me Lavdoshin, në bulevardin Paniatowski, në katin e fundit të një ndërtese. Dhe takimi i tyre ishte i përmallshëm se ata kishin qenë bashkë në burg. Luc xhironte me kamera, unë mbaja dritat dhe mikrofonin nga larg… Kujtonin shokët e tyre, të gjallë e të vdekur… dhe ata të vrarë. Një tjetër herë më tregoi gjeografinë e burgjeve të tij që kishin filluar me Maliqin, pastaj në Lekaj të Rrogozhinës, më pas në kampin e Urës Vajgurore në vitin 1953 për të ngritur pistën e aeroportit ushtarak të Qytetit Stalin (Kuçovës)... kur vinte fjala për Burrelin, ku u mbyll nga viti 1956 më 1962, të burgosurit atëherë thonin: “Kush hyn këtu nuk del më”... referencë danteske! Që nga ajo ditë, Lavdoshi nga Kanina do ishte një mik i dashur për mua, pasi jeta e tij ishte një jetë që të mësonte shumë. Ishte i thjeshtë, nuk krenohej, nuk ishte nga ata që i binte gjoksit me grushta. Një tjetër herë, po në Bastille, nën një diell të bukur, më tregonte një episod në pistën e aerodromit të Urës Vajgurore.. ngado ndriste monumenti i Stalinit! Meqë ato ditë ishte sëmurë, komandanti e detyroi të merrej me derdhjen e betonit, por Lavdoshi nuk kishte pranuar. Atëherë e kishin lidhur dhe e kishin ngritur në një shtyllë druri për dënim, në cep të kampit e pastaj kishin ikur... e kishin “harruar”. Një ditë më vonë, një ushtar që i vinte keq për të, i kishte kërkuar të pranonte që të shkonte për beton, që të shpëtonte nga ai kalvar, po ku dëgjonte koka e Lavdoshit. Dhe vetëm më vonë, kur e kishin çliruar nga telat, ai kishte rënë nga shtylla. Telat i kishin prerë krahët, por lumturisht nuk kishte vdekur!... Kur e çuan në infermieri, i burgosuri Isuf Hysenbegasi, që kishte studiuar në Francë për mjekësi, kur i hoqi këmishën ngjitur në plagë, gjaku i kishte shpërthyer...

Sipas këtij shkrimi, Lavdoshi prehet, me dëshirën e tij, në Akërni të Vlorës, ku ishte internuar për 15 vjet dhe kishte varrosur nënën dhe babanë.

 

Burimi: Fjalori Enciklopedik i Viktimave të Terrorit Komunist I (Tiranë: ISKK, 2012), 147
Burimi: Zerat e kujteses, ISKK, intervistues: Luljeta Lleshanaku, Agron Tufa; Shkrimi Lavdosh Sulo harroi të më thoshte përsëri se gjithë kjo ishte një utopi…, Luan Rama
Ju lutem, plotesoni fushat e kerkuara.
Mbyll formen

Ju lutem zgjidhni imazhin qe do te ngarkoni.