Kadri Hazbiu, ministri i Brendshëm më jetëgjatë i diktaturës komuniste

Në Shqipëri, i ngjashëm me figurën e Berias në Bashkimin Sovjetik ishte Kadri Hazbiu. Edhe fundin e patën pothuaj të njëjtë. I lindur në vitin 1922 në Hysoverdh të Vlorës, u regjistrua në vitin 1936 në shkollën tregtare në Vlorë, pa mundur ta mbaroi atë pasi u përjashtua vitin kur do themelohej PKSH-ja. Në qershor – tetor 1943 ishte komisar i çetës “Halim Xhelo”. Në tetor 1943 – janar 1944 vazhdon si komisar i batalionit “Ismail Qemali”. Në janar – nëntor 1944 komisar e më pas zëvendëskomisar batalioni në brigadën e 5-të. Në nëntor– dhjetor 1944 zëvendëskomisar i brigadës së 5-të. Ishte ndër të parë qu u afrua me armën e re komuniste informative pasi në dhjetor 1944 – shtator 1947 ishte kryetar i Degës të Sigurimit të Ushtrisë në Drejtorinë e Mbrojtjes së Popullit (më pas Sigurimin e Shtetit). Në shtator 1947 – prill 1948 ndoqi Shkollën e Lartë të Sigurimit në Moskë. Me t’u kthyer në Shqipëri, më 1948 – 1949 ishte kryetar i Degës së 5-të të Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit. Më 1949 – 1954 ndihmësministër i Punëve të Brendshme për Sigurimin e Shtetit. Në vitin 1954 Kadri Hazbiu zëvendësoi Mehmet Shehun dhe u bë ministër i Punëve të Brendshme, detyrë që e mbajti deri në vitin 1980, duke thyer çdo rekord jetëgjatësie. Më 1980 – 1982 është edhe ministër i Mbrojtjes Popullore.

Nga funksionet politike duhet thënë se në vitet 1952 – 1982 ishte anëtar i KQ të PPSH; më 1961 – 1971 kandidat i Byrosë Politike të Komitetit Qendror; më 1971 – 1982 anëtar i Byrosë Politike. Si ministër i Punëve të Brendshme ishte edhe kryetar, zëvendëskryetar dhe anëtar i komisionit të internim dëbimeve. Pas goditjes së Mehmet Shehut, mbi Kadri Hazbiun ra ndëshkimi i pritshëm. Ai u akuzua për faje të bëra vite më parë në kohën kur marrëdhëniet me sovjetikët ishin të mira dhe e tillë ishte edhe politika e Partisë së Punës. Kësisoj më 15 tetor 1982 përjashtohet nga partia dhe arrestohet. Pasi u dënua për tradhti të lartë ndaj atdheut si “armik i popullit dhe i partisë” u ekzekutua në Tiranë më 10 shtator 1983. Hazbiu njihet si arkitekt kryesor i krijimit të makinës kriminale të diktaturës komuniste.

 

Ju lutem, plotesoni fushat e kerkuara.
Mbyll formen

Ju lutem zgjidhni imazhin qe do te ngarkoni.