Zef Simoni (Hardhija) u lind në Shkodër, më 1 dhjetor 1928. Ndoqi mësimet në liceun "Ilirikum" të Kuvendit Françeskan, të cilin nuk arriti ta përfundonte për shkak të mbylljes së shkollave fetare. Vazhdoi studimet e larta për Gjuhë-Letërsi në Institutin e Lartë Pedagogjik në Tiranë dhe punoi si mësues në Shkollën Tregtare të qytetit të Shkodrës. U shugurua fshehurazi si meshtar më 9 shkurt 1961. U arrestua më 13.7.1976, në bazë të neneve 73 dhe 218 të Kodit Penal, pasi Sigurimi i Shtetit i gjeti të groposura në kopshtin e shtëpisë së tij, shumë materiale dhe dokumente me përmbajtje fetare. U gjykua bashkë me klerikët e tjerë Imzot Ernest Çoba, Dom Lec Sahatçija dhe Dom Kolec Toni. Gjykata e Rrethit të Shkodrës e drejtuar nga Shefqet Muçi, me pjesëmarrjen e prokurorit Faik Minarolli, me vendimin nr.108, datë 29.4.1977, i shpalli fajtorë. U dënua me 15 vjet heqje lirie, nga të cilat vuajti 12 në kampet e Spaçit, Zejmenit dhe Sarandë. U lirua në vitin 1988.

I apasionuar pas letërsisë dhe historisë, botoi disa libra.

Raportoi në një simpozium ndërkombëtar në maj të vitit 2000 mbi shkallën e persekutimit, torturave dhe akteve të dhunës në Shqipëri. Ai e krahasoi kampin e burgut me kampin e përqendrimit në Mauthausen. Ai e dokumentoi periudhën e përndjekjes së klerit katolik nga viti 1944 deri më 1990 në librin Martirizimi i Kishës Katolike Shqiptare (1944-1990), i cili u përkthye edhe në italisht.

Më 1992 u caktua ipeshkëv titullar i ipeshkvisë së Bararus-it dhe ndihmës-ipeshkëv të Arqipeshkvisë së Shkodrës. Emërimi titullar iu dha më 25 prill 1993 nga vetë Papa Gjon Pali II. Qe ndër katër ipeshkvit e parë të periudhës pas-komuniste. Më 20 janar 2004 iu lejua dorëheqja nga Papa Gjon Pali II. Ka qenë anëtar i Konferencës Ipeshkvnore Shqiptare.

Ndërroi jetë në Shkodër më 21 shkurt 2009.

Burimi: Wikipedia, memorie.al, Kastriot Dervishi, Radio Vatikani
Ju lutem, plotesoni fushat e kerkuara.
Mbyll formen

Ju lutem zgjidhni imazhin qe do te ngarkoni.