Ibrahim Bej Biçaku | |
---|---|
Informacione Personale | |
Emër/Mbiemër: | Ibrahim Bej Biçaku |
Atësia: | Biçaku |
Vendlindja: | Elbasan |
Datëlindja: | 10/9/1905 |
Gjyqi | |
Data e Arrestimit: | 6/12/1944 |
Akuza: | °Elementët antikomunistë° |
Dënimi: | 30 vjet Burg |
Vendimi: | 13 prill 1945, Gjyqi Special |
Dënimi | |
Burgu: | Burgu i Burrelit - |
Veprimtar politik, djali i vetëm i Aqif Pashë Elbasanit (Biçakut), deputet, kryetar i Partisë Nacionaliste, Kryeministër i Shqipërisë (5 shtator 1944-25 tetor 1944). Lindi më 10 shtator të vitit 1905, në Elbasan. Arsimin fillor e kreu në qytetin e lindjes. Mbaroi Akademinë Tregtare në Vjenë për agronomi. Në vitin 1937 u zgjodh deputet i Elbasanit. Me kapitullimin e Italisë bën pjesë në grupin e politikanëve që nisën procesin e pavarësimit të Shqipërisë. Emri i tij është ndër 22 patriotët që nënshkruan deklaratën e 14 shtatorit të vitit 1943, e cila e rishpalli Shqipërinë të pavarur. Në zgjedhjet e 1 tetorit 1943 për Kuvendin Kombëtar, u zgjodh sërish deputet i Elbasanit. Gjatë kësaj kohe, bashkë me Rexhep Mitrovicën, Xhaferr Devën, Lef Nosin etj., u angazhua fuqishëm për shuarjen e lëvizjes komuniste në Shqipëri. Në shtator të vitit 1944 u zgjodh Kryeministër dhe krijoi kabinetin qeveritar, që u betua më 5 shtator të po atij viti. Qeveria Biçaku dha dorëheqjen më 25 tetor 1944, dy ditë pasi komunistët kishin shpallur qeverinë e tyre në Berat. Pas dorëheqjes, Ibrahim Biçaku, së bashku me një grup patriotësh, u largua nga Tirana dhe vajti në Shkodër, ku ishte planifikuar të organizohej një mbledhje me elementët antikomunistë. Dhe kur miqtë e tij kapërcyen kufinjtë e Shqipërisë, ai nuk pranoi të largohet. U arrestua në Shkodër më 6 dhjetor të vitit 1944. Më 13 prill 1945, Gjyqi Special e dënoi me burgim të përjetshëm, por më 13 dhjetor 1945 dënimi iu ul në 30 vjet heqje lirie. Më 15 janar të vitit 1947, Komiteti Ekzekutiv i Këshillit Popullor të Nënprefekturës së Tiranës vendosi sekuestrimin e gjithë pasurisë së tij, të luajtshme dhe të paluajtshme, ndër to edhe fabrikën e tij të cigareve «Flora». Pjesën më të madhe të dënimit e vuajti në burgun e Burrelit. U lirua pas shtatëmbëdhjetë vjetësh, më 5 maj 1962. Vdiq në Elbasan, më 4 janar të vitit 1977.