Hekuran Fetah Shemuni u lind në Imshtë të Lushnjës, më 1883. U zgjodh mbi dhjetë herë kryeplak në fshatin e tij.

Prenjo Imeraj ka shkruar në gazetën “Ora e fjalës”, më 13 mars 1993:

"Në revolucionin e Qershorit 1924, Hekuran Shemuni mori pjesë me forcat kryengritëse si fanolist dhe më vonë u plagos në gjurin e djathtë, në përpjekje me forcat esadiste. Më 7 prill 1939, në krye të shumë fshatarëve të armatosur lushnjarë, u nis drejt Vlorës për rezistencë ndaj okupatorëve fashistë italianë. Në vitin 1942, ai krijoi çetën BASHKIMI, për të mbrojtur fshatin nga okupatori. Si nacionalist u lidh qysh në fillim me organizatën “Balli Kombëtar”. Si antikomunist i vendosur ai u rezistoi disa herë forcave komuniste të Pipi Bakallit dhe Spiro Mojsiut, për të mos hyrë sipas qejfit dhe pa leje në fshatin e Imshtës. Hekuran Shemuni mori pjesë me armë në dorë në shumë luftime kundër fashistëve italianë, i radhitur në çetën nacionaliste të Asim Xhindoles. Kur Partia Komuniste filloi luftën civile të ashtuquajtur “vëllavrasja”, Hekurani u ndoq këmbakëmbës nga komunistët, derisa u kap nga partiakët e Brigadës Parë në fshatin Barbullas të Skraparit, ku me urdhër verbal të komandantit famëkeq Mehmet Shehu, u pushkatua pa gjyq.

Muharrem Kalluci dhe Nafiz Kondi nga Barbullasi deklarojnë: -"Ne e gjetëm kufomën e Hekuranit lakuriq, midis shkurreve buzë prroit dhe e varrosëm". Tani atje nuk gjenden as shkurre dhe as varre. Persekutorët e vegjël komunistë, për “lulëzimin” e kooperativës urdhëruan të plugohej edhe toka e varrit të ballistit trim Hekuran Shemuni, duke i hedhur eshtrat e tij në përroin e rrjedhshëm aty pranë. Eshtrat humbën, por shpirti i tij jetoi tek gruaja, gjashtë djemte dhe vajza dhe tërë fisi, që për gati 50 vjet hoqën të “zitë e ullirit” nga regjimi komunist."

Familja ende nuk i ka gjetur eshtrat e tij as sot e kësaj dite.

Burimi: Nga familja
Burimi: Gazeta Ora e fjalës, 13 mars 1993, shkrim nga Prenjo Imeraj
Ju lutem, plotesoni fushat e kerkuara.
Mbyll formen

Ju lutem zgjidhni imazhin qe do te ngarkoni.