Me profesion bujk, në fillim punoi në vitet 1954-1956 në “Pallatin e Brigadave” në Tiranë. E nisi “aktivitetin” në vitet 1956-1959 si ushtar i shërbimit të detyrueshëm në repartet e Ministrisë së Punëve të Brendshme, kampet nr.305 Zadrimë dhe nr.307 Tiranë. Pastaj, në vitet 1959-1962 shërbeu si nënoficer polic në Repartin nr.307 Tiranë, në kohën kur ky kamp ndërtonte pallate në Tiranë. Në vitet 1964-1966 shërbeu po në të njëjtin repart në Rubik, deri sa ky u mbyll. Shërbeu si polic në Durrës e Tiranë deri në vitin 1984.

Një ide më të saktë për sjelljen e tij gjatë kohës që shërbente si polic në kampet e punës e jep ish-i dënuari politik, Uran Kalakulla.

“Kështu kapter Haxhi Xibraku sikur nuk e kishte sjellë mbi tokë Perëndia, por vetë dreqi i mallkuar. Se si emrin, ashtu edhe shpirtin ia kishte plazmuar plot me “x”-sa, domethënë me hekura të kryqëzuar e me tela me gjemba. Ky fshatar, në uniformën e policit, kishte gjetur tamam lëkurën e tij të natyrshme që i ngjante  lëkurës së gjarprit, e neveritshme, e veshur me luspa të imëta, me një lëmashk rrëshqitës e ngjethës përsipër, e ftohtë si vaji i të vdekurve e deri në makth pështirosës.

Nga ana tjetër, këtij Xhikes sonë fatal, meqenëse Zoti e kishte braktisur, djalli nga ana e tij, nuk i kishte falur tru më shumë se ç’i duhet zagarit për të nuhatur gjahun e vet. E për ta plotësuar siç duhet, në vend të truve i kishte falur një shpirt të zi si katran, që e gjente kënaqësinë vetëm duke bërë keq e duke parë viktimat e tij tek hiqnin vuajtjet e ferrit. Kështu, xhahil, pa tru dhe shpirtkazmë, Xhikja ishte prototipi ideal i policit komunist, i caktuar enkas për t’u marrë me të burgosur.

Xhike Xibraku, me pamjen e tij si derr i egër, i ndiqte të burgosurit vrimë më vrimë, kur ata përpiqeshin dike për të marrë frymë nga lodhja e madhe. I ndiqte pas si langua edhe në nevojtore dhe mezi priste t’u gjente rastin a sebepin për t’i lidhur me pranga; për t’i lidhur me tel në shtyllë, kur të ngrinte thëllimi apo të digjte dielli i korrikut; t’i rrihte e t’i fuste në birucat e nëndheshme. Dhe vetëm kur e bënte këtë e shihje të kënaqur e të fryhej si gjel”.

(Uran Kalakulla, “21 vjet burg komunist”, Tiranë 2001, faqe 232-233)

 

Ju lutem, plotesoni fushat e kerkuara.
Mbyll formen

Ju lutem zgjidhni imazhin qe do te ngarkoni.