U dënua tri herë në regjimin komunist. Herën e tretë u dënua teksa ishte në burg. Ka qenë 36 vjeç kur hyri në burg dhe 74 kur doli, me më pak se dy vjet liri në mes.

Lindi në Tetovë në vitin 1914. Me bursë të qeverisë së Mbretit Zog I, në vitet 1930-1938 ndjek gjimnazin e Tiranës. Në 28.4.1939 u kthye në vendlindje. Gjatë kësaj kohe ndjek gjyqin e Qemal Stafës në shkurt 1938 dhe merr pjesë në demonstrata e datës 6.4.1939 kundër Italisë fashiste. Bënte pjesë edhe në organizatën “Besa” të Kosovës me qendër në Tiranë. Më 1939-1940 ndjek Institutin e Lartë Filozofik në Zagreb. Më 1941-1942 ishte mësues në gjimnazin e Tetovës. Burgoset 3 muaj nga fashistët pasi mori pjesë në demonstratën e bukës në Elbasan ku ishte gjendur atë ditë. Në vitin 1942 bëhet anëtar i Partisë Komuniste Shqiptare e në shtator të atij viti i Partisë Komuniste të Jugosllavisë. Më 1942-1944 ishte partizan në brigadën e 4-t të shqiptarëve të Maqedonisë. Vijon punën si mësues në vitet 1945-1948 në Tetovë. Në nëntor 1948 mban qëndrimin pro Byrosë Informative kundër Titos dhe vjen në Shqipëri.

U arrestua më 3.3.1950. Çështja u trajtua nga Gjykata Speciale e Sigurimit në MPB. Akuzohej se “nën maskën e emigracionit politik, duke qenë agjent i UDB-së ka ushtruar aktivitet kundërshtar në dëm të Republikës Popullore të Shqipërisë”. Në fletën e vetme të gjykimit, pranohej se i pandehuri kishte qenë i pakënaqur e trajtuar keq, por kurrkund nuk del ndonjë veprimtari agjenturore. Me vendimin nr.58, datë 1.10.1950, gjykata e deklaroi fajtor në bazë të ligjit nr.372, datë 12.12.1946 (në origjinal shkruhet gabim si nr.371) dënoi me 20 vjet burgim. U lirua më 12.9.1966.

Toplica banonte në Çermë të Lushnjës, i diskriminuar teksa arrestohet sërish më 25.2.1968 i akuzuar për agjitacion e propagandë në bazë të nenit 73 të Kodit Penal. Nuk e pranoi akuzën. Me vendimin nr.22, datë 7.5.1968 Gjykata e Qarkut Vlorë e deklaroi fajtor dhe e dënoi me 10 vjet burgim. Nuk iu konfiskua “pasuria” sepse vetëm 1.200 lekë kish gjithsej.

Duke vuajtur dënimin në kampin nr.309 në Ballsh, Hashimi arrestohet sërish. Akuzohej me nenin 73 të Kodit Penal se agjitonte në kamp kundër pushtetit.

Gjykata e Rrethit Fier, me vendimin nr.41, datë 7.3.1975 e deklaroi fajtor dhe e dënoi me 13 vjet burgim, dënim që i fillonte nga data e shpalljes.

Burimi: Gazeta 55, 16 prill 2019
Ju lutem, plotesoni fushat e kerkuara.
Mbyll formen

Ju lutem zgjidhni imazhin qe do te ngarkoni.