Hasan Blloshmi | |
---|---|
Informacione Personale | |
Emër/Mbiemër: | Hasan Blloshmi |
Atësia: | Selman |
Vendlindja: | Bërzeshtë , Librazhd |
Datëlindja: | 11/12/1926 |
Datë Vdekja: | 7/7/1982 |
Gjyqi | |
Data e Arrestimit: | 10/6/1952 |
Akuza: | «Agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor,bashkëpunim me bandat e armatosura» |
Dënimi: | 20 vjet Burg |
Data e Vendimit: | 21/10/1952 |
Gjykata: | Gjykata Ushtarake Territoriale e Korçës |
Data e Lirimit: | 19/7/1965 |
Gjyqi i dytë | |
Data e Arrestimit: | 27/7/1977 |
Akuza: | agjitacion dhe propagandë kundër pushtetit popullor |
Dënimi: | 10 vjet Burg |
Data e Vendimit: | 2/11/1977 |
Gjykata: | Gjykata Popullore e Rrethit të Librazhdit |
Lindi më 11 dhjetor 1926, në fshatin Bërzeshtë të rrethit të Librazhdit. Pesë klasë të fillores i kreu në fshat.
U arrestua nga Sigurimi i Shtetit në qershor të vitit 1952 dhe më 21 tetor të po atij viti, Gjykata Ushtarake Territoriale e Korçës e dënoi më 20 vjet heqje lirie, humbjen e të drejtave elektorale për 5 vjet, si dhe më konfiskimin e gjithë pasurisë, «për krimin e bashkëpunimit me bandat e armatosura», «për krimin e agjitacionit dhe të pro-pagandës» dhe «për krimin e mbajtjes së armës pa leje». U lirua më 19 korrik të vitit 1965 nga burgu i Burrelit.
Pas arrestimit të dy nipërve të tij, Vilson dhe Bedri Blloshmit, më 27 korrik 1977 familja e Hasanit, së bashku me të gjithë vëllezërit e tjerë, u internua në Polis të Librazhdit. Por po atë ditë, me të mbërritur në vendin e internimit, u thirr në zyrën e këshillit dhe u arrestua sërish. Dhe më 2 nëntor 1977, Gjykata Popullore e Rrethit të Librazhdit e dënoi me 10 vjet burg «për krimin e agjitacionit dhe propagandës kundër pushtetit popullor». Në fillim të korrikut të vitit 1982, u sëmur rëndë në kampin e Spaçit dhe vdiq më 7 korrik 1982. Pas vitit 1992, familja Blloshmi i gjeti eshtrat e tij në varrezën e fshatit Shishtufinë dhe i rivarrosi në varrezën e fshatit Bërzeshtë, pranë babait dhe nënës së tij.