| Hans Trochel | |
|---|---|
| Informacione Personale | |
| Emër/Mbiemër: | Hans Trochel |
| Atësia: | Ernest |
| Vendlindja: | Pommer, Gjermani |
| Datëlindja: | 1899 |
| Gjyqi | |
| Data e Arrestimit: | 29/11/1944 |
| Akuza: | Vegël e verbër e okupatorit nazist që ka pasur lidhje me gjermanët |
| Dënimi: | 30 vjet Burg |
| Data e Vendimit: | 22/6/1945 |
| Gjykatësi: | Bilbil Klosi |
| Gjykata: | Gjykata Ushtarake e Krahinës Ushtarake e Korpusit të 1-rë Tiranë |
| Data e Lirimit: | 17/1/1954 |
| Dënimi | |
| Burgu: | Burgu i madh i Tiranës - |
| Burgu: | Burgu i Burrelit |
Piktor gjerman. I lindur në Pommer më 1899, i martuar, me një vajzë, profesor gjimnazi në lëndët vizatim e gjeografi, erdhi për herë të parë në Shqipëri në vitin 1938 për të bërë piktura dhe punoi deri në vitin 1941 në Tiranë, Shkodër e Mirditë. Kishte bërë punime edhe për Ministrinë e Arsimit, (me porosinë e Hasan Cekës). Gjatë qëndrimit në Shqipëri bashkëpunoi me inxhinier Ahmet Ndroqin, profesor Ndue Palucën, Eqrem Çabejin, Ethem Carën, Omer Nishanin dhe Vehip Hoxhën. Italianët e detyruan të largohej në Gjermani. Në shtator 1943 erdhi i mobilizuar forcërisht ushtar në Manastir, Elbasan, Tiranë duke bërë pjesë e një kompanie e cila varej prej Komandës së Aviacionit e komanduar nga gjeneral Charaniko. Gjatë pushtimit vizitoi Tiranën, Shkodrën, Podgoricën, lumin Drin, Divjakën. Në Divjakë konstatoi malarien sepse merrej me shkenca natyrale.
Më datë 8 shtator 1944, u largua nga ushtria gjermane dhe shkoi në Gjepalaj të Shijakut te Myslim Ndroqi. Më vonë, shkoi në teqenë e Ndroqit. U arrestua te shtëpia e Ahmet Ndroqit më 29.11.1944 në Tiranë.
Në hetuesi deklaronte se “ndonjë të keqe popullit shqiptar nuk i kam bërë, përkundrazi kam bërë mirë”.
Gjykata Ushtarake e Krahinës Ushtarake e Korpusit të 1-rë Tiranë, e drejtuar nga nënkolonel Biblil Klosi, i ndihmuar nga anëtarët Argjir Lipivani (oficer i Drejtorisë së Mbrojtjes së Popullit) dhe Gjylhani Shehu (oficer i korpusit të parë), me vendimin nr.s’ka, datë 22.6.1945, e deklaroi fajtor “si vegël e verbër e okupatorit nazist që ka pasur lidhje me gjermanët dhe e dënoi me 30 vite burg”. Dënimin e vuan në Burgun e Tiranës dhe atë të Burrelit. Gjatë kësaj kohe ka marrë pjesë në punën e detyruar në kampet e Jubës, Urës Vajgurore dhe Rinasit në Tiranë. U orvat të vrasë veten. Sipas burimeve të dyta, u lirua më 17.1.1954 (mund të jetë edhe 1956) dhe u riatdhesua në Gjermani.
