Gjon  Vati, i njohur me emrin Gjo Vati u lind më 1890 në lagjen Lulaj në Tale dhe më pas, u vendos në Zallkolec të zonës së Alkut, Krujë. Gjo' Vati  u bë burrë i njohur e i dalluar për menaxhimin e resurseve bujqësore e blegtorale. Kishte miq në Krujë, Lezhë, Shkodër, drejtues të zonës së Gurëzit, Prel Tom e Llesh Kol Bajraktarin, Mark Mirin e Mark Stakën. Gjo' Vati ndërtoi kullën e tij të bukur e funksionale. Si një burrë i dëgjuar, me tokë më shumë se disa të tjerë, me disa krerë bagëtish, vreshta, bahçe me pemë të ndryshme, kalë shale, e bujq të punësuar, ishte futur në listën e të pasurve për t’u eleminuar.

Gjo' Vati u ndodh në mbledhjen e Gurëzit, më 25 gusht 1946, dhe aty u arrestua dhe kaloi natën në mullirin e Smail Efendisë te Hanet e Gurëzit. Në Krujë, u torturua për sasinë e tokës, bagëtive të imta, për kullën dhe kalin e shalës.

Më datën 28 gusht 1946, Gjo' Vati si i torturuar pa faj u la i lirë me disa të tjerë. Gjo' Vati i dëmtuar rëndë nuk ecte dot dhe mendoi t'iu lutej drejtuesve të operacionit, ata e morën me vete deri në Gurëz. Drejtuesit, nën ndikimin e miqve nga Miloti e nga Kruja në favor të ndonjë të arrestuari, kishin liruar më shumë e mund t'i plotësonin kur të shkonin në Gurëz.

Gjo' Vati pritet në besë, ia mohojnë lirinë, e lidhin me telin e përbashkët dhe e ekzekutojnë. Atë ditë, u pushkatuan 10 burra në mes të fshatit, në sy të grave dhe fëmijëve. Gjo' Vati është dëshmor i masakrës së Gurëzit.

Me këtë pushkatim familja pësoi dëme shpirtërore e dëme të mëdha materiale. Iu konfiskua kulla, toka, bagëtia. Vëllai i tij më i ri, Pjetër Vati me gratë që jetonin në atë familje u detyruan të lëshonin kullën e të qëndronin në katin e parë të saj deri në vitin 1991. Shtëpia u përdor për qëllime të ndryshme nga shteti dhe në vitin 1959, në tokat e Gjo' Vatit u vendosën banorët e përmbytur nga lumi, ku ndodhen edhe sot.

Në foto: nga e majta Gjo' Vati me mikun e tij, Nikoll Gjoka, edhe ky një figurë e njohur në Gurëz.

Burimi: Ndue Hoti, studies i ngjarjeve të Gurëzit

 

Ju lutem, plotesoni fushat e kerkuara.
Mbyll formen

Ju lutem zgjidhni imazhin qe do te ngarkoni.