| Gjelosh Luli | |
|---|---|
| Informacione Personale | |
| Emër/Mbiemër: | Gjelosh Luli |
| Atësia: | Gjokë |
| Vendlindja: | Traboin, Hot (sot në Mal të Zi) |
| Datëlindja: | 1912 |
| Profesioni: | Ushtarak |
| Datë Vdekja: | 31/12/1947 |
| Ekzekutimi | |
| Gjykata: | Gjykata e Malësisë së Madhe |
| Data Ekzekutimit: | 31/12/1947 |
Lindi më 1912, në Traboin të Malësisë së Madhe. Nga fisi i Dedë Gjon Lulit.
U diplomua në Akademinë Ushtarake të Torinos, për Artileri, me rezultate të larta dhe më pas kreu një vit specializim në kursin e Aplikacionit.
U kthye në Shqipëri në vitin 1934 dhe u emërua në një nga repartet e Regjimentit të Artilerisë në qytetin e Tiranës ku iu dha grada e togerit. Njohës shumë i mirë i italishtes, frëngjishtes e gjermanishtes. Pas Tiranës, u transferua në Shkodër ku edhe u martua, me Elena Mirakën, e cila më pas, do të provonte internimin dhe burgosjen. Gjatë viteve që shërbente në Shkodër, mori gradën e Kapitenit të Parë. Gjithashtu dha edhe mësim si pedagog i gjuhëve të huaja në gjimnazin klasik të Shkodrës. Botonte shkrime në shtypin e kohës, kryesisht te revista "Hylli i Dritës" dhe shfaqte hapur idetë antikomuniste.
Pushtimi fashist në prillin e vitit 1939, e gjeti ficer në Regjimentin e Artilerisë të qytetit të Shkodrës. Ai e kundërshtoi pushtimin, por në vitin 1940, iu përgjigj thirrjes që iu bë gjithë ish-ushtarakëve të Monarkisë së Zogut, që të riktheheshin në Ushtrinë Kombëtare dhe u kthye dhe u emërua përsëri në Regjimentin e Artilerisë ku kishte shërbyer më parë.
Sipas dëshmisë së të bijës, Izabela Luli Mari, botuar në "Gazetën Shqiptare" deri në vitin 1943, mbajti detyrën e Komandantit të Përgjithshëm të Forcave Ushtarake të Qarkut të Shkodrës, ndërsa më pas, kur filloi konflikti i armatosur midis forcave komuniste dhe atyre nacionaliste, ai doli në mal dhe u zgjodh me detyrën e Komandantit të Forcave Nacionaliste të Malësisë së Madhe. Si komandant i atyre forcave, Gjeloshi, qëndroi maleve me armë në dorë deri në mbarimin e Luftës dhe në nëtorin e vitit 1944, ai i tha popullit në Koplik, të ktheheshin në shtëpitë e tyre. "Ndërsa unë po largohem e do të vazhdoj rrugën që kam nis". Që nga nëntori i vitit 1944, ai doli në arrati dhe qëndroi i fshehur nëpër male, ndërsa ndiqej nga forcat komuniste. Familjen ia internuan, ndërsa vëllezërit dhe strehuesit e tij, u goditën rëndë nga regjimi, me burgosje, rrahje e tortura.
E bija ka treguar se ndërsa rrethimi ngushtohej dhe ai ishte detyruar të ikte nga Hoti në Kastrat, "mbeti i ngrirë në dëborë ku dhe e gjetën të vdekur forcat e Sigurimit. Pasi e gjetën në dëborë, ata ia prenë kokën Gjeloshit dhe trupin e tij e lanë aty në dëborë që ta shqyenin kafshët e egra...Aty nga pranvera e vitit 1948, trupin e tij e gjeti një çoban i atyre anëve, i cili e varrosi dhe vuri një shenjë që të mos e harronte vendin".
Sipas Fjalorit Enciklopedik të Viktimave të Terrorit Komunist V, botim i ISKK, më 11 mars 1994, vendim nr. 159, Gjykata e Malësisë së Madhe vendosi të njohë faktin e qëndrimit të tij në arrati brenda kufirit, si dhe të vrasjes për motive politike, më 31 dhjetor të vitit 1947.
