E arrestuan në moshën 26 vjeç, para godinës së Universitetit të Tiranës. Arrestimi ndodhi në formë rrëmbimi. Sipas dokumenteve zyrtare të Sigurimit të Shtetit, Galipi akuzohej se “ka hyrë në shërbim të spiunazhit të imperializmit amerikan”. Ndaj tij nuk u bë një proces i rregullt hetuesie dhe as gjyq. Ndërkohë sipas dëshmive, Galipi, rrihej dhe trajtohej shumë keq. U mbajt i izoluar në bodrumin e Seksionit të Sigurimit të Shtetit, te Selvia, deri në qershor-korrik të vitit 1948. Në një nga ditët e asaj vere, e çuan afër zonës së Kinostudios, ku e pushkatuan.
Në vitet në vijim, familja survejohej. Në vitin 1978, arrestuan bashkëshorten, Asamble Hatibi, të cilën e dënuan me 7 vjet burg për qëndrimin e saj antiparti. Ajo qëndroi në burg deri në vitin 1982. Nga dokumentet e Sigurimit të Shtetit, del se edhe i biri, mbahej në survejim.