Bijë e familjes Mirakaj nga Puka. Kishte përfunduar Institutin "Nana Mbretëreshë" me rezultate të larta në Tiranë. Në vitin 1936, u martua me Gjelosh Lulin, i cili ishte diplomuar për Artileri në Torino dhe në atë kohë shërbente në Shkodër si ushtarak, ku mori edhe gradën kapiten.
Gjelosh Luli, antikomunist i njohur, u zgjodh me detyrën e Komandantit të Forcave Nacionaliste të Malësisë së Madhe dhe nga nëntori i vitit 1944, doli në arrati. Në janar 1945, Elenën me dy vajzat e vogla, Klara dhe Izabela i nxorën nga shtëpia dhe i internuan në 4 Rrugët e Shijakut, më pas në Kalanë e Beratit dhe Kuçovë. U liruan nga internimi dhe u kthyen në Shkodër pasi Gjelosh Luli u vra, duke u strehuar te dy gra dashamirëse.
Në vitin 1953, Elena u arrestua dhe u dënua me 10 vjet burg për agjitacion e propagandë. Dënimi i saj, sipas dëshmisë së të bijës, Izabela Luli Mari, erdhi pasi ditën që vdiq Stalini ajo tha: “Shyqur që vdiq ky kriminel, por kur po i vjen radha këtij tonit”.
