| Drita Kosturi | |
|---|---|
| Informacione Personale | |
| Emër/Mbiemër: | Drita Kosturi |
| Atësia: | Alifehmi |
| Vendlindja: | Lezhë |
| Datëlindja: | 1920 |
| Datë Vdekja: | 2002 |
| Gjyqi | |
| Data e Arrestimit: | 13/9/1946 |
| I Torturuar: | Po |
| Vendimi: | Nr.101 |
| Data e Vendimit: | 29/2/1948 |
| Gjykata: | Gjykata e Lartë Ushtarake |
| Data e Lirimit: | 18/9/1959 |
| Internimi | |
| Data e Internimit: | 1959 |
| Fundi i Internimit: | 1988 |
Lindi më 1920, në Lezhë. Në vitin 1938, mbaroi arsimin e mesëm në Tiranë. Në vitet 1939-1941 ndoqi studimet në Itali për mjekësi. U burgos dy herë nga regjimi fashist. E dënoi më pas edhe diktatura komuniste. Kishte qenë e fejuara e Qemal Stafës dhe më vonë, bashkëshortja e Myzafer Pipës, avokatit që humbi jetën në tortura pas arrestimit.
U arrestua më 13 shtator 1946 kur banonte në Shkodër në kuadër të arrestimeve masive pas kryengritjes së Postribës. U mbajt në hetuesinë e Shkodrës deri sa u mor vendimi përfundimtar nga gjykata.
Më 23 dhjetor 1947, me vendim nr. 506, Gjykata Ushtarake e Shkodrës e deklaroi fajtore "se ka marrë pjesë në radhët e Ushtrisë Nacional-Çlirimtare, më vonë në detyrën e saj si përgjegjëse në spitalet ka bashkëpunuar dhe ka dhënë informata në shërbim të Misionit Anglo-Amerikan", "se ka zhvilluar aktivitete kundër pushtetit popullor", ndaj e dënoi me vdekje, konfiskimin e pasurisë dhe humbjen e të drejtave politike. Me vendim të Gjykatës së Lartë Ushtarake, nr.101, datë 29.2.1948, dënimi u ndryshua në 20 vjet heqje lirie.
U lirua më 18.9.1959 nga Punëtoria Qendrore e Artizanatit, pasi kish vuajtur 13 vjet dhe 5 ditë heqje lirie.
Pas burgut, u internua në Shtyllas të Fierit. U kthye në Tiranë në vitin 1988, ku edhe vdiq në vitin 2002.
