Dod Paja | |
---|---|
Informacione Personale | |
Emër/Mbiemër: | Dod Paja |
Atësia: | Prek |
Dodë Paja ishte ndër njerëzit më me ndikim, jo vetëm në fshatin Rrjoll, por në shumë zona të Malësisë së Mbishkodrës. Deputeti Haxhi Hajdari kishte lidhje miqësie shumë të fortë me Dodë e Pjetrush Pajën. Pas përplasjeve të deputetit kolonel Haxhi Hajdar Mani në Komitet Qëndor në mbrojtje të malësorëve, Haxhiut i vështirësohen pozitat dhe jeta i vihet në rrezik të madh. Deputeti Haxhi Hajdari i dorëzohet mikut të ngushtë Dodë Pajës, i cili së bashku më vëllanë Pjetrushin e mbajtën mikun e tyre dhe paguan mbi kurriz pushkatime, bombardime me top, burgosje, konfiskime, internime dhe përndjekje nga sigurimi i shtetit për 30 vjet me radhë. Dod Paja pranon të torturohet së bashku më vëllanë e tij Pjetrushin, të dhunohet familjarisht dhe nuk e tregojnë ku e mbanin të fshehur mikun e shtëpisë Haxhi Hajdar Manin në një kohë të tmerrshme ku mijëra ushtarë ishin shpërndarë në Malësi e në fshatin Rrjoll në kërkim të deputetit rebel. Pas vrajses në Rrjoll të Haxhi Hajdarit dhe Nosh Pajës, Doda arrestohet nën akuzën e përkrahjes së tradhtarit të atdheut, se kishte kryer veprimtari armiqësore ndaj pushtetit popullor, se gjoja ishte vënë në shërbim të zbulimit jugosllav ku hetuesit e akuzojnë Dodën si kryetar të grupit të diversantëve në fshatin Rrjoll dhe si korrier e ndërlidhës të deputetit Hajdari me diversantët, aktivitete kundër Republikës Popullore, se ishte i vënë në shërbim të UDB-së dhe revizionistëve jusogllavë, se kishte komplotuar kundër lirisë e pavarësisë së Shqipërisë etj., akuza këto të sajuara nga sigurimi me qëllim dënimin me çdo kusht të Dodës si njeri të cilit komunistët në fshat ia kishin frikën për shkak të influencës e zgjuarsisë që ai kishte. Për shkak se Dodës i kishin pushkatuar vëllanë Pjetrushin, i kishin vrarë kushëririn Nosh Pajën, i kishin internuar kushërinjtë e tjerë, shteti komunist ia fali jetën duke mos kërkuar pushkatim, por maksimumin e dënimit për kohën. Hetuesi i Ministrisë së Brendshme, Ferhat Matohiti, mbylli hetimet në Tiranë më 20 qershor 1964 duke kërkuar fajësinë e Dod Pajës dhe kërkoi dënimin e tij me 25 vjet burg dhe konfiskimin e pasurisë së luajtshme dhe të paluajtshme dhe humbjen e të drejtës elektorale për 5 vjet. Gjyqtari i çështjes në ngarkim të Dod Pajës, Vangjel Mano së bashku me gjyqtarët Avdi Dervishi dhe Sadullah Boriçi, gjyqtarë në Gjykatën e Shkodrës, me datë 29 korrik 1964 gjykuan Dodë Pajën duke e shpallur fajtor për akuzat për të cilat hetuesi i Ministrisë së Brendshme as nuk i provoi as nuk u lodh aspak t’i sqaronte veç i sajoi dhe i montoi për bukuri. Gjykata në fund të procesit miratoi të gjitha kërkesat e prokurorisë veçse nga 25 vjet, dënimin e Dodë Pajës e uli në 15 vite, çka për një plak të moshuar 80 vjeçar pothuajse ishte nënshkruar fundi i jetës së tij. Doda kaloi vitet e dënimit të tij në burgjet e Ballshit, të Vlorës, Spaçit dhe internimin në Savër të Lushnjës.